KQZ-ja: Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit më pak fletëvotime të pavlefshme se në vitin 2017

04 nëntor 2021 | 15:20

Në zgjedhjet lokale të cilat janë mbajtur më 17 tetor, numri i fletëvotimeve të pavlefshme ka shënuar rënie, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Lajmin e ka bërë me dije zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se numri më i ulët i fletëvotimeve të pavlefshme është shënuar në të dy llojet e zgjedhjeve, për kryetarë të komunave dhe të kuvendeve komunale.

“Në bazë të statistikave nga shpallja e rezultateve përfundimtare, numri i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet për kryetarë të komunave është 13 mijë apo 1.61 për qind, ndërsa kjo shifër është më e lartë në zgjedhjet për kuvende komunale. Pa llogaritur fletëvotimet e zbrazëta, sipas të dhënave janë rreth 56 mijë e 200 apo 6.91 për qind e fletëvotimeve të pavlefshme në të gjithë Kosovën për kuvendet komunale”, ka thënë ai për “EO”.

Sipas tij, nëse këto të dhëna krahasohen me zgjedhjet lokale të vitit 2017, vërehet se numri i fletëvotimeve të pavlefshme është më i ulët në zgjedhjet e 17 tetorit.

“Në vitin 2017, pa llogaritur fletëvotimet e zbrazëta numri i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet për kryetarë të komunave ka qenë 13 mijë e 814 fletëvotime apo 1.65 për qind. Ndërsa në zgjedhjet për kuvende komunale ky numër ka qenë 66 mijë e 151 apo 7.97 për qind”, ka thënë Elezi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
RECESION PËR LIBRIN E AUTORIT ISMAIL REXHEPI Ismail Rexhepi ishte…