KQZ-ja nis fushatën informuese në komunat e Kosovës për procesin zgjedhor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga e premtja e 25 tetorit ka nisur fushatën informuese në komunat e Kosovës për procesin zgjedhor.
Takimi i parë i KQZ-së është mbajtur në Drenas dhe Mitrovicë, ku kanë marrë pjesë zyrtarët ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve si dhe përfaqësues të degëve të subjekteve politike, përfaqësues të bashkësive lokale e organizata të shoqërisë civile.
Në këto takime nga KQZ-ja është thënë se do të ketë sqarime sa i përket ndërrimit të qendrës së votimit brenda komunës, kundërshtimin dhe konfirmimin e listës votuese, regjistrimin për votim përmes ekipeve mobile të personave me nevoja të veçanta, votimin jashtë Kosovës, votimin me kusht si dhe plotësimin e fletëvotimit.
Ndërsa, është thënë se çështje ku do të kenë sqarime qytetarët do të jetë edhe numërimi i votave në qendrat komunale të numërimit dhe në qendrën e numërimit dhe rezultateve.
Pasi që presidentja Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e 2025-së si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, partitë politike kanë filluar premtimet e tyre paraelektorale.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.
Ato i kishte fituar në mënyrë plebishitare Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind.
Nga lista fituese, pra e LV-së, e cila ishte në koalicion me Listën Guxo, që atëbotë udhëhiqej nga Vjosa Osmani, janë zgjedhur tre krerët e institucioneve kryesore të shtetit, konkretisht Albin Kurti Kryeministër, Vjosa Osmani Presidente dhe Glauk Konjufca, Kryetar i kuvendit.
Në ato zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje (LV), siguroi 58 ulëse; Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8 ulëse.
Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LV-ja kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%); PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%); LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).