KQZ-ja nuk e miraton raportin për dërgimin në prokurori të shkeljeve për blerjen e dezinfektuesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka miratuar raportin e auditimit për dërgimin në prokurori të shkeljeve për blerjen e dezinfektuesve, maskave dhe pajisjeve të tjera në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, më 14 shkurt.
Mes polemikave të shumta vetëm tre anëtarë nga KQZ-ja kanë votuar pro dërgimit të këtyre shkeljeve në prokurori, ndërsa pjesa tjetër kanë abstenuar. Ndërkohë, në mbledhjen e së enjtes, KQZ-ja ka miratuar vendimin për ndarjen e 4.2 milionë eurove për partitë politike për vitin 2022.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se shkeljet e paraqitura nga auditori i brendshëm për blerjen e dezinfektuesve duhet të dërgohen në prokurori. Ai ka thënë se një vendim i tillë duhet të merret nga KQZ-së ose do t’i dërgojë në mënyrë individuale të njëjtat. Mbështetje atij i ka dhënë edhe kolegu i tij, Alim Rama.
Por, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se nuk kanë asnjë obligim për t’i dërguar shkeljet në prokurori.
“Asnjë obligim se kemi t’i dërgojmë. Raportet e auditimit janë publike munden të vijnë t’i këqyr policia, prokuroria dhe kushdo që dëshiron”, ka thënë ai, raporton “Ksp”.
Ndërsa kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet ndaj përgjegjësve për blerjen e këtyre dezinfektuesve.