KQZ-ja: Nuk ekziston rrezik për zarfet e mbetura që erdhën nga Serbia
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka verifikuar zarfet me fletëvotime që kanë ardhur nga Serbia dhe pas kontrolleve nga organet kompetente, është konstatuar se nuk ekziston rrezik i mëtejmë për procedimin e këtyre zarfeve të mbetura.
Sipas KQZ-së, nën masa të caktuara mbrojtëse, këto zarfe mund të procedohen më tutje.
“Ky proces, siç dihet, ka qenë ndërprerë me datën 13 tetor, për shkak të ankesave shëndetësore të zyrtarëve që kanë punuar me zarfet e ardhura nga Serbia dhe dyshimeve për praninë e një materie të rrezikshme. Prokuroria dhe Policia kanë filluar zhvillimin e hetimeve dhe kanë marrë provat dhe dëshmitë e nevojshme (material të dyshuara si të kontaminuara) dhe procesi i hetimeve është duke vazhduar. Pas verifikimeve dhe kontrolleve nga organet kompetente të zhvilluara gjatë këtyre ditëve, sot është konstatuar se tashmë nuk ekziston rrezik i mëtejmë për procedimin e këtyre zarfeve të mbetur dhe nën masa të caktuara mbrojtëse, mund të procedohen më tutje. Përkundër komplikimeve që janë shfaqur gjatë këtij procesi, KQZ është e përkushtuar që ta ruajë integritetin e procesit zgjedhor, sigurinë e zyrtarëve operues dhe po ashtu edhe procesin e zbardhjes së këtij rasti”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.
Ky institucion ka falënderuar organet kompetente për bashkëpunimin e ofruar gjatë kësaj kohe.