KQZ-ja: Pasi të shpallen zgjedhjet e bëjmë planifikimin e buxhetit
Ka kaluar një javë që kur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit dhe ende nuk është vendosur nëse do të shkojë vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Deri tash, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka bërë planifikim të buxhetit që do t’i duhet për të organizuar zgjedhjet e jashtëzakonshme, por një gjë të tillë do ta bëjë në momentin kur të shpallen zgjedhjet.
Viti 2019 nuk është vit zgjedhor dhe në këtë mënyrë në buxhetin e këtij viti nuk janë paraparë mjete për organizimin e zgjedhjeve, por që Ministria e Financave e posedon një fond që mund ta përdorë për këtë qëllim.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, përmes një përgjigje me shkrim për “KosovaPress”, ka treguar se KQZ-ja do të fillojë me përgatitjet intensive për zgjedhje vetëm pasi ato të shpallen. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillon me përgatitjet intensive të një procesi zgjedhor vetëm pasi të shpallet ai dhe në këtë drejtim ne ende nuk kemi bërë ndonjë planifikim të buxhetit”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka thënë se nëse do të ketë zgjedhje, KQZ-ja sikurse herëve të tjera do të bëjë kërkesë buxhetore në Qeveri për mjete financiare. “Viti 2019 nuk është një vit zgjedhor, çka do të thotë se në Ligjin e Buxhetit për këtë vit nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje. Nëse do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, duke u mbështetur edhe në praktikat e kaluara, KQZ-ja bën kërkesë buxhetore në Qeveri për mjete financiare për mbajtjen e zgjedhjeve”, ka vlerësuar ai.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, në mbledhjen e fundit të Qeverisë në dorëheqje ka treguar se në ministrinë që e drejton është një fond të cilin mund ta përdorin për nevojat e KQZ-së, për të organizuar zgjedhjet.
“Kur jemi tek çështja e mundësisë se shkuarjes së vendit në zgjedhje, ky nuk ka qenë vit zgjedhor, brenda Komisionit Qendror Zgjedhor nuk ka fonde për organizimin e zgjedhjeve. Ne si Ministri e Financave kemi qenë të kujdesshëm në këtë drejtim dhe është një fond brenda MF-së, ku ligji e autorizon ministrin e Financave që këto mjete në rast nevoje mundet me i bartë te një organizatë tjetër buxhetore”, është shprehur ai.
Hamza ka treguar se ky fond mund të përdoret vetëm atëherë kur të shpallen zgjedhjet.
“Për të ndodhur ky transfer i fondeve fillimisht duhet me ndodhë shpallja e zgjedhjeve, duhet me ditë që po ndodhin zgjedhjet. E dyta, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të vijë me kërkesë të specifikuar për nevojat të cilat janë edhe për fondet të cilat janë dhe të arsyetojë kërkesën e tyre. Mbi bazën e kërkesës së arsyetuar nga organizata buxhetore, atëherë i hapet mundësia ministrit të Financave me e bë transferin”, ka deklaruar Hamza.
Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror Zgjedhor, zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në vitin 2017 kanë kushtuar 4 milionë euro.