KQZ-ja: Përgatitjet për zgjedhjet lokale janë duke shkuar sipas planit operacional
Zëvendëskryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, ka deklaruar se në të gjitha komunat e Kosovës përgatitjet për zgjedhjet lokale janë duke shkuar sipas planit operacional, përfshirë edhe veriun ku pas djegies së Qendrës së Regjistrimit në Zubin Potok anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve nuk kishin dalë në punë.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është marrë vendimi që Qendra e vendvotimit “1 Tetori” të zhvendoset në objektet e Fakultetit të Edukimit, pasi kjo sallë është duke u përdorur si qendër për vaksinimin e qytetarëve kundër Covid-19.
“Sa i përket gjendjes në komunat e Kosovës përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë sipas planit operacional. Prej raportimit të fundit sidomos të Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën e Zubin Potokut nuk ka ndonjë ndryshim, gjendja është e njëjtë. Do të thotë procesi është duke u zhvilluar normal në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, përveç ajo që është raportuar në mbledhjen e fundit të KQZ-së për komunën e Zubin Potokut gjendja është e njëjtë”, ka thënë Buzhala.
Në mungesë të kryetarit të KQZ-së, mbledhja e sotme është udhëhequr nga anëtari Cemajli Kurtis, i cili ka thënë se do të ndërmarrin të gjitha masat që gjithçka të shkojë në rregull.
“Shpresoj që gjithçka do të shkoj në rregull që gjendja të normalizohet. Ne si KQZ do t’i ndërmarrim të gjitha masat të shkojë gjithçka në rregull”, ka thënë ai.
Ndërsa anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Alim Rama, ka thënë se do të bëhet njoftimi i votuesve për këtë ndryshim, si dhe do të vendosen shenjat në sallën “1 tetori” që qytetarët të udhëzohen për në objektin e Fakultetit të Edukimit. /Ksp/