KQZ-ja pezullon PSD-në dhe Lëvizjen për Bashkëveprim
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka pezulluar dy subjekte politike, Partinë Socialdemokrate (PSD) dhe Lëvizjen për Bashkëveprim, për shkak të mos mbajtjes së kuvendeve zgjedhore brenda afatit ligjor.
Deri te pezullimi ka ardhur me rekomandim të Zyrës për regjistrimin, certifikimin dhe kontrollin financiar të partive politike (ZRCKFPP), pasi që afati i fundit për mbajtjen e kuvendit zgjedhor për Lëvizjen për Bashkëveprim ka qenë data 8 dhjetor 2023, ndërsa për PSD-në më 15 dhjetor 2023.
Drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala lidhur me pezullimin e PSD-së, tha se më 18 dhjetor kanë përgatitur rekomandimin dhe e kanë dërguar te KQZ-ja për shqyrtim.
Ai shtoi se PSD-ja më 12 dhjetor ka bërë kërkesë që të mbajë kuvendin më 28 janar, për çka tha se e kanë trajtuar këtë kërkesë.
“Rekomandimi i dytë i radhës është rekomandimi për pezullimin e partisë politike Partia Socialdemokrate, me akronimin PSD. Po ashtu kjo parti politike e regjistruar ka qenë e obliguar ta mbajë kuvendin e radhës më datën 15 dhjetor 2023, e cila nuk e ka mbajtur me këtë datë. Zyra më datën 18 dhjetor 2023 e ka përgatitur rekomandimin dhe e ka dërguar te KQZ-ja për shqyrtim të saj. Po ashtu rekomandojmë që të pezullohet PSD-ja dhe njëherësh ta obligojë partinë politike që brenda afatit prej 45 ditësh ta mbajë kuvendin zgjedhor. Tri ditë para se të mbajë kuvendin kjo parti politike e ka bërë një kërkesë. Ka theksuar se kuvendin duan ta mbajnë më 28 janar. Po ashtu, e kemi trajtuar kërkesën e saj”, ka thënë Buzhala.
Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka kritikuar partitë për mos disiplinë sa i përket zbatimit të afateve ligjore për mbajtjen e kuvendeve të tyre zgjedhore.
Sipas vendimit të KQZ-së, këto dy parti politike obligohen që të mbajnë kuvendin e tyre zgjedhore në një afat shtesë prej 45 ditësh dhe nëse kjo nuk arrihet, atëherë sipas rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ merr vendim për çregjistrim nga regjistri i partive politike në Kosovë.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, të gjitha partitë politike të regjistruara janë të obliguara që të mbajnë kuvendin zgjedhor brenda 6 muajve nga data e regjistrimit dhe pastaj së paku çdo 48 muaj. (ksp)