KQZ-ja pranon mbi 2 mijë kërkesa për regjistrim nga diaspora, refuzohen 249 aplikime
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka prezantuar raportin lidhur me ecurinë e zbatimit të planit të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Sipas KQZ-së, është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
Në bazë të të dhënave, deri më 11 shtator 2024, janë pranuar 2 559 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 2 310, ndërsa 249 të tjera janë refuzuar.
Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.
Gjithashtu, është duke vazhduar periudha për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 11 shtator janë pranuar 252 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit, prej të cilave janë aprovuar 239, ndërsa 13 të tjera janë refuzuar.
Në këtë mbledhje është bërë me dije se është duke vazhduar edhe periudha për kundërshtimin e pasaktësive në listën preliminare votuese, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 28 dhjetor 2024.
Deri më 11 shtator, nuk është paraqitur ndonjë kërkesë për kundërshtimin e listës preliminare të votuesve.