
KQZ-ja pret që numërimi i votave të përfundojë të mërkurën
Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka thënë se pret që të mërkurën, më 5 mars, të përfundojë numërimi edhe i votave të fundit, atyre me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.
“Në QNR është në përfundim e sipër procesi i numërimit nga votimi jashtë vendit, respektivisht votimi përmes postës. Pra gjatë ditës së sotme do të përmbyllim procesin e numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës dhe gjithashtu në QNR ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht dhe pastaj edhe votave të personave me nevoja të veçanta. Ky proces do të bëhet sot dhe presim të përfundojë nesër”, ka thënë tha ai.
Gjithashtu Elezi ka njoftuar se KQZ-ja ka pranuar një vendim nga PZAP-i për të llogaritur si të vlefshme disa fletëvotime, të cilat gjatë procesit të numërimit në QNR ishin konsideruar si të pavlefshme.
“Mund t’iu informoj se PZAP-i ka marrë një vendim për të llogaritur të vlefshme disa fletëvotime të cilat gjatë procesit të numërimit në QNR janë llogaritur të pavlefshme. Si KQZ me qenë se në këtë vendim të PZAP-it ka këshill juridike, sipas së cilës palët mund të parashtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve. Si KQZ do të presim që të kalojë ky afat dhe pastaj do të vendosim për zbatimin e PZAP-it nëse nuk ka ankesë në Gjykatën Supreme”, ka thënë Elezi.