KQZ-ja prezanton disa raste të fletëvotimeve të vlefshme dhe të pavlefshme në Zgjedhjet për Kuvend
Fletëvotimet e pavlefshme mbeten një shqetësim i gjerë në Kosovë, pasi një numër i konsiderueshëm i tyre shpallen të tilla në çdo proces zgjedhor.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vetëm në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, më shumë se 27 mijë fletëvotime ishin shpallur të pavlefshme, ndërkaq gati 6 mijë të tjera ishin të zbrazëta.
Por, si duhet të plotësohet fletëvotimi, në mënyrë që të shpallet i vlefshëm dhe që pjesëmarrja e qytetarëve në votime të mos rezultojë e kotë?
Me anë të një videoje, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka shpjeguar se në mënyrë që një fletëvotim të shpallet i vlefshëm, votuesi duhet të votojë/zgjedhë vetëm një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë për deputetë të atij subjekti politik.
Gjithashtu, ai ka prezantuar disa raste të fletëvotimeve të vlefshme dhe të pavlefshme në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. 1. Çfarë ndodhë kur votuesi shënjon më shumë se një subjekt politik? Sigurisht se në këtë rast fletëvotimi do të shpallet i pavlefshëm. 2. Çfarë ndodhë kur votuesi shënjon vetëm kandidatët për deputet, por jo edhe subjektin politik? Edhe në këtë rast, fletëvotimi do të shpallet i pavlefshëm.3. Çfarë ndodhë kur votuesi shënjon një subjekt politik dhe më shumë se 10 kandidatë për deputetë? Vota do t’i numërohet vetëm subjektit politik, por jo edhe kandidatëve. 4. Çfarë ndodhë kur votuesi shënjon një subjekt politik dhe më pak se 10 kandidatë për deputetë? Vota do t’i numërohet subjektit politik dhe atyre kandidatëve.
“Pra, që vota juaj të jetë e vlefshme, votoni vetëm një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë për deputetë”, thuhet në këtë video informuese.