KQZ-ja publikon rezultatet e zgjedhjeve për kuvendet komunale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale për 38 Kuvendet Komunale, të cilat u mbajtën më 17 tetor 2021.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për shpalljen e këtyre rezultateve pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotim dhe në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, si dhe kur të gjitha vërejtjet që u përkasin procesit të votimit dhe numërimit janë vendosur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme e Kosovës.
KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare për 38 Kuvendet e këtyre komunave: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Hani Elezit, Graçanicë, Ranilluk, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimare, në afat brenda 24 orësh, subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Bazuar në këto rezultate, LDK-ja dhe PDK-ja kanë me së shumti këshilltarë komunalë, nga 206 secila në tërë Kosovën.
Sa i përket votave për këshilltarë komunalë LDK-ja ka marrë 170,134 vota, ndërsa PDK-ja 161,645 vota.
LV-ja ka siguruar 193 ulëse në Kuvende Komunale, duke marrë 168,084 vota.
AAK-ja që ka marrë 9863 vota në krejt Kosovën, do t’i ketë 120 asamblistë.
Nisma do t’i ketë 21 ulëse pasi ka marrë 18,455 vota.
AKR-ja do të ketë vetëm 8 asamblistë pasi ka marrë 10,277 vota.
E Lista Serbe do t’i ketë 147 këshilltarë komunalë.
Rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve lokale mund t’i gjeni KËTU.