KQZ-ja regjistron një parti politike dhe pezullon një tjetër
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pezulluar subjektin politik “Gradanska Inicijativa Gore”, kjo për shkak që ky subjekt politik nuk ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor me datën e paraparë, por i është dhënë afat prej 45 ditësh që të mbajë të njëjtin.
KQZ-ja në mbledhjen e mbajtur të mërkurën gjithashtu ka votuar pro regjistrimit të partisë politike, “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala ishte ai që ka dhënë këtë rekomandim, duke thënë se Kuvendi është dashur të mbahej më 20 qershor.
“Kuvendi i radhës për t’u mbajtur nga ky subjekt politik data e fundit ka qenë 20 qershor 2024. Meqenëse subjekti politik nuk e ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor më datën 20 qershor 2024 atëherë zyra rekomandon që të pezullohet subjekti politik Gradanska Inicijativa Gore, me akronimin GIG dhe KZQ-ja të merr vendim dhe ta obligojë që për 45 ditë prej momentit të pranimit të këtij vendimi të mbajë Kuvendin Zgjedhor të radhës. Ky është rekomandimi sa i përket vendimit për pezullimin e subjektit politik Gradanska Inicijativa Gore”, ka thënë Besnik Buzhala.
Ndërsa kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka treguar se ky rekomandim është votuar më 10 vota për, duke vendosur që kjo parti politike të pezullohet.
Në këtë mbledhje Besnik Buzhala, ka rekomanduar regjistrimin e partisë politike, “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”.
Ai ka thënë se ky subjekt politik është subjekt parlamentar, i cili gjithashtu përfiton edhe mjete financiare nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike. /EO