KQZ-ja rrëzon Berishën dhe regjistron PD-në për zgjedhjet vendore nën përfaqësimin e Alibeajt
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri regjistroi sot Partinë Demokratike nën përfaqësimin e drejtuesit të deleguar Enkelejd Alibeaj si konkurruese në zgjedhjet vendore të 14 majit, duke rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pretendoi regjistrimin në zgjedhje me të njëjtin emërtim subjekti.
Pasi dëgjoi për afro dy orë përfaqësuesit ligjorë, që mbrojtën dy kërkesat me të njëjtin emër subjekti, komisioneri i zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, vendosi të pranojë kërkesën e paraqitur nga Alibeaj, i autorizuar si drejtues nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Komisioneri Celibashi theksoi se kërkesa e paraqitur nga Alibeaj plotëson kriteret dhe është e bazuar në ligjin për partitë politike dhe në regjistrimet e gjykatës së Tiranës.
Ai la 48 orë kohë për plotësimin e detajeve në dokumenta, që u vërejtën si paqartësi.
Ndërsa kërkesa e ish-kryeministrit Sali Berisha u rrëzua, sepse nuk bazohej në ligj dhe nuk kishte regjistrime certifikuese nga gjykata.
Përfaqësuesit ligjorë përsëritën para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të njëjtat argumentime, që kanë shfaqur edhe në përballjet e tyre përpara gjykatës së shkallës së parë dhe të Apelit.
Apeli ktheu për rigjykim në shkallën e parë çështjen e përfaqësimit të Partisë Demokratike, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm, që njihte ish kryeministrin Berisha si kryetar të kësaj partie.
Partia Demokratike është zhytur prej disa kohësh në një krizë përfaqësimi, qyshkur drejtuesi i saj Lulzim Basha përjashtoi nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha, sapo ky i fundit u përcaktua, së bashku me familjen, nga sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, si i përshtatshëm për të vizituar SHBA-të për shkak të korrupsionit domethënës dhe cënimit të demokracisë.
Basha deklaroi atëherë se Partia Demokratike nuk do të mbante kurrë në radhët dhe forumet e saj persona të shpallur non grata nga SHBA-të, aleate strategjike të saj dhe të Shqipërisë.
Ish-kryeministri Berisha e hodhi poshtë si të pabazuar në prova përcaktimin nga SHBA-të dhe nisi një lëvizje për t’u kthyer në krye të Partisë Demokratike, duke sulmuar Bashën si një bashkëpunëtor të kryeministrit socialist Edi Rama.
Konflikti në gjirin e PD-së kulmoi me një sulm masiv të dhunshëm një vit më parë të mbështetësve të ish kryeministrit Berisha ndaj selisë qendrore të partisë, i cili u frenua falë ndërhyrjes së policisë.
Basha ia ka deleguar funksionet drejtuese të partisë kryetarit të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, ndërsa të dy palët kanë zhvilluar kongrese për të zotëruar përfaqësimin e partisë, dokumente të cilat tani janë ende në gjykatë.