KQZ-ja shkatërron materialin e zgjedhjeve lokale, rreth 280 vendvotime i ruan për Prokurorinë
Gati një vit pas zgjedhjeve lokale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar me procesin e shkatërrimit të materialit zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet dhe formularët e rezultateve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka dhënë detaje para medieve lidhur me këtë proces i paraparë në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Sipas tij, KQZ-ja do të ruajë si prova materialin zgjedhor të rreth 280 vendvotimeve për shkak të dyshimit për vepra penale kundër të drejtës së votimit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me shkatërrimin e materialit zgjedhor të Zgjedhjeve Lokale që u mbajtën në tetor dhe nëntor të vitit 2021. Sipas vendimit të KQZ-së, pjesë të materialit që do të shkatërrohet janë fletëvotimet, formularët e rezultateve; listat e votuesve dhe tjera. Marrë në përgjithësi, është planifikuar të shkatërrohet materiali zgjedhor i më shumë se 2 200 vendvotimeve. Nga ky proces do të përjashtohet materiali zgjedhor i rreth 280 vendvotimeve dhe këtu përfshihen edhe materialet që i takojnë procesit të votimit me kusht dhe atij me postë”, ka thënë Elezi, raporton Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se këto materiale zgjedhore u takojnë komunave të ndryshme dhe do të ruhen si prova për qëllime të hetimit nga institucionet përkatëse shtetërore dhe deri në përfundimin e të gjitha çështjeve.