KQZ-ja sot shpall rezultatet preliminare të zgjedhjeve
Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) tashmë është duke arritur materiali i ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat e Kosovës, dhe deri në fund të ditës pritet që i gjithë ai material të arrij në këtë qendër.
Kështu ka bërë me dije zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili ka thënë se aktualisht në QNR është duke u bërë edhe skanimi i listave përfundimtare të votuesve në vendvotime.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet që brenda disa ditëve të nis numërimi i votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat që kanë arritur përmes postës.
Sipas Valmir Elezit aktualisht KQZ-ja nuk i ka të dhënat se sa persona me nevoja të veçanta e kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar, apo sa është numri i votave me kusht, por që sipas tij këto të dhëna do bëhen të ditura pasi të mbaroj procedura e pranimit të materialit të ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat votuese në Kosovë.
Elezi ka thënë se 2 785 persona kanë qenë të regjistruar si persona me nevoja të veçanta, ndërsa Komisionit Qendror Zgjedhor ka pranuar 16 mijë pako të supozuara me fletëvotime.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi është shprehur optimist se brenda ditës së sotme do të përfundojë edhe publikimi i rezultateve preliminare të zgjedhjeve të djeshme ku deri më tani në uebfaqe janë publikuar vetëm 98 për qind e vendvotimeve.