KQZ-ja sqaron çështjen e votave me kusht dhe votave me postë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nëpërmjet një komunikate për medie ka dhënë sqarime lidhur me çështjen e numërimit të votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës nga rivotimi për kryetar të Komunës së Istogut.
Sipas KQZ-së, në rivotimin për kryetar të Komunës së Istogut kanë qenë 481 vota me kusht dhe vota të personave me nevoja të veçanta si dhe 24 vota që kanë ardhur përmes postës.
KQZ-ja ka bërë me dije se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas përfundimit të procedurave të konfirmimit, jo të gjitha këto vota kanë përmbushur kriteret ligjore për tu numëruar.
“Pas përfundimit të kësaj procedure, në QNR, është vërtetuar se nga numri i përgjithshëm (481) i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta që i plotësojnë kriteret ligjore janë 309 të tilla, ndërsa 172 vota janë refuzuar. Kurse, nga numri i përgjithshëm (24) i votave me postë, pas procedurave është konfirmuar se të gjitha i plotësojnë kriteret ligjore. Dhe si përfundim kemi pasur 309 vota me kusht dhe vota të personave me nevoja të veçanta, 24 vota me postë, që në total janë 333 vota”, është thënë në komunikatë.
KQZ-ja ka treguar se 172 vota kusht dhe vota të personave me nevoja të veçanta janë refuzua për shkak se nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore.
“Gjatë konfirmimit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë refuzuar 172 zarfe me fletëvotime. Arsyet se përse janë refuzuar këto vota dhe nuk janë numëruar, kanë të bëjnë me mosplotësim të kritereve ligjore, si në vijim: Në 108 raste votuesit nuk kanë qenë në Listën Përfundimtare të Votuesve; Në 61 raste votuesit nuk kanë qenë nga komuna e Istogut, por nga komuna të tjera; Në 2 raste votuesit nuk kanë qenë të regjistruar si votues të kategorisë së nevojave të veçanta; dhe në 1 rast është vërtetuar se votuesi ka votuar edhe në vendvotimin e rregullt”, është theksuar në komunikatën e KQZ-së.
Me qëllim të sigurimit të një procesi transparent dhe të besueshëm para qytetarëve të Republikës së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar fletëvotimet e konfirmuara të këtyre kategorive në prezencë të medieve, vëzhguesve të subjekteve politike dhe të shoqërisë civile.