KQZ-ja ua heq mandatin dy deputetëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Shqipëri, ka pranuar në mbledhjen e së premtes kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandateve të deputetëve, Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.
Vendimi ka kaluar me votat e 5 anëtarëve të KQZ-së, pas shqyrtimit të çështjes ku janë paraqitur argumentet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe ato të palës mbrojtëse.
Heqja e mandatit të deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica lidhet me procesin e dekriminalizimit.
Dy deputetët nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e KQZ-së, por janë përfaqësuar përkatësisht nga avokatët, Theodhori Sollaku dhe Ardian Vishaj.
Ndërkohë po gjatë mbledhjes së sotme, KQZ-ja i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme informacion shtesë për dëbimin e kryebashkiakut të Pogradecit, Eduart Kaprit nga Gjermania. (TCh)