KQZ-ja vendos: Partitë politike kanë të drejtë t’i shpenzojnë mbi 2 milionë euro për fushatë
Një subjekt politik do të ketë të drejtë t’i shpenzojë deri në 2 milionë e 47 mijë e 149 euro për fushatën e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ky vendim është marrë të mërkurën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka thënë se vendimi është mbështetur në Rregulloren zgjedhore dhe në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës në vendin tonë janë 2 milionë e 47 mijë e 149 votues.
“Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2 047 149 euro, pra jo më pak se një (1) euro për votues të regjistruar. Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren zgjedhore nr. 07/2024 2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushatës së zgjedhjeve si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,047,149 votues”, ka thënë Buzhala.
Po ashtu, KQZ-ja ka vendosur për themelimin e Komisionit për shqyrtimin e kundërshtimeve administrative të parashtruara kundër njoftimit për regjistrim të votueseve jashtë Kosovës.
Sipas Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, çdo aplikues, të cilit i është refuzuar regjistrimi, ka të drejtë në kundërshtim administrativ ndaj njoftimit brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare janë caktuar për t’u mbajtur më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.