KQZ-ja: Votimi me kusht nuk do të lejohet në çdo qendër votimi si në të kaluarën, por vetëm në disa prej tyre
Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar në vitin 2023 ka bërë disa ndryshime thelbësore edhe për procesin e votimit me kusht.
Ky lloj votimi, sipas KQZ-së, nuk do të bëhet i mundur në çdo qendër votimi ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore. Ky lloj votimi, do të mundësohet vetëm në qendrat e votimit të cilat do t’i caktojë KQZ-ja.
Ky ndryshim i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme është prezantuar me anë të një videomesazhi nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar në vitin 2023 ka bërë disa ndryshime lidhur me votimin me kusht. Votimi me kusht është i mundur sërish, por ky lloj votimi nuk do të mundësohet në çdo qendër votimi ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore. Në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, KQZ-ja do të caktojë qendrat për Votim me Kusht. Lista e tyre do të publikohet në uebfaqen e KQZ-së dhe mjetet tjera të informimit”, thuhet në videon informuese të prezantuar nga Elezi.
Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, numri i qendrave të votimit në 38 komunat e Kosovës ishte 888 qendra votimi dhe në secilën prej tyre ishte i mundur votimi me kusht.