KQZ: Mbi 51 mijë shtetas jashtë Kosovës të aprovuar për votim deri më 20 dhjetor

21 dhjetor 2024 | 16:27

Aplikimi për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës po vazhdon dhe është ende i hapur. Procesi, i cili filloi më 29 gusht, pritet të mbyllet më 26 dhjetor.

Deri më 20 dhjetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar 51,440 aplikime për regjistrim të votuesve jashtë vendit, ndërsa 3,388 kërkesa janë refuzuar.

“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre si dhe për mundësinë e ri-aplikimit për regjistrim, duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Sipas këtij njoftimi, nga 51 mijë e 440 aplikime të aprovuara, 12 mijë e 631 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 8 mijë e 5 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë, dhe 30 mijë e 804 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka deklaruar se…