KQZ për zgjedhjet e 9 shkurtit: Votimi me kusht nuk do të lejohet në çdo qendër votimi

18 tetor 2024 | 11:09

Ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme i miratuar në vitin 2023 ka bërë disa ndryshime thelbësore edhe për procesin e votimit me kusht në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Ky lloj votimi, sipas KQZ-së, nuk do të bëhet i mundur në çdo qendër votimi ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore.

Votimi me kusht do të mundësohet vetëm në qendrat e votimit të cilat do t’i caktojë KQZ-ja.

Ky ndryshim i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme është prezantuar me anë të një videomesazhi nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme i miratuar në vitin 2023 ka bërë disa ndryshime lidhur me votimin me kusht. Votimi me kusht është i mundur sërish, por ky lloj votimi nuk do të mundësohet në çdo qendër votimi ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore. Në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, KQZ-ja do të caktojë qendrat për votim me kusht. Lista e tyre do të publikohet në ueb faqen e KQZ-së dhe mjetet tjera të informimit”, është thënë në videon informuese të prezantuar nga Elezi.

Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, numri i Qendrave të Votimit në 38 komunat e Kosovës ishte 888 qendra votimi dhe në secilën prej tyre ishte i mundur votimi me kusht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Superliga e Kosovës në futboll rikthehet sot (e premte) me…