KQZ: Rezultatet përfundimtare për Podujevë e Mitrovicë V. shpallen këtë javë
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut do të shpallen gjatë kësaj jave.
Lajmin e ka konfirmuar në një intervistë për “Ekonomia Online”, Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ai ka treguar se kur të përfundojë numërimi i të gjitha votave edhe do të bëhet publikimi i rezultateve. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpallë rezultat përfundimtare të një procesi zgjedhor pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara me ligj këtu në QNR, siç është pra numërimi i votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta, të votuesve të kësaj kategorie, pra që kanë qenë të prekur me Covid-19 si dhe të votave me postë”, ka deklaruar Elezi, duke shtuar se duhet pritur edhe afati i ankesave në PZAP.
“Pasi të përfundojnë të gjitha këto procedura si dhe duhet pritur po ashtu nëse në Panelin Zgjedhor të Ankesave dhe të Parashtresave do të ketë ndonjë ankesë lidhur me ngjarjet në vendvotim gjatë ditës së diele. Pasi që të përfundoj e të kompletohet i gjithë ky proces, KQZ-ja do të dal me rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe po besojmë që gjatë ditëve ne vijim do të arrihet kjo”, ka deklaruar ai.