KQZ: Vendosja e kamerave nuk cenon fshehtësinë e votës

09 shkurt 2025 | 08:39

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot vendosja e kamerave në hapësirat e vendvotimeve bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe rritjen e integritetit të procesit të votimit dhe numërimit të fletëvotimeve, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se vendosja e kamerave nuk cenon fshehtësinë e votës dhe se ato nuk do të regjistrojnë procesin e votimit të qytetarëve.

“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimeve në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit me 9 shkurt bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe rritjes së integritetit të procesit të votimit por edhe të numrit të fletëvotimeve”, ka thënë ai.

Ai ka sqaruar se këto kamera do të pozicionohen në mënyrë që të mos cenohet fshehtësia e votës.

Lidhur me ruajtjen e regjistrimeve nga këto kamera, Elezi ka sqaruar se ato do të mbahen përkohësisht deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të rasteve kur evidentohen parregullsi, ku pamjet do t’u dorëzohen institucioneve ligjzbatuese.

“Gjithashtu vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës pasi ato do të vendosën në skajin tjetër të vendit ku do të jenë kabinat e votimit dhe në as një rrethanë nuk do të mund të regjistrojnë shënjimin apo votimin nga ana e qytetarëve. Ruajtja e regjistrimit të këtyre kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre regjistrimeve nga ato vendvotime në të cilat evidentohen parregullsi dhe do të ju ofrohen institucioneve ligjzbatuese për detyrat e tyre”, ka thënë ai.

Elezi ka bërë të ditur gjithashtu se KQZ-ja nuk do t’i monitorojë këto kamera gjatë ditës së zgjedhjeve, pasi regjistrimi i tyre do të bëhet në mënyrë pasive dhe qasja në videoregjistrime do të jetë e mundur vetëm me kërkesë të institucioneve ligjzbatuese.

“Në ditën e zgjedhjeve KQZ-ja nuk do të monitoroj këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive dhe qasja në këto videoregjistrime do të mund të behët vetëm me kërkese të institucioneve ligjzbatuese”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që po…