KQZ: Votat me postë do të numërohen nesër
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se numërimi i votave të diasporës do të numërohen të martën.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se tashmë shërbimi votues i KQZ-së ka bërë vlerësimin e 1 571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës.
“Gjatë ditës së martë, 16 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me numërimin e fletëvotimeve të cilat janë dërguar nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit, 29 tetor – 12 nëntor. Tashmë shërbimi votues i KQZ-së ka bërë vlerësimin e 1,571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës. Nga procesi i vlerësimit, del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime është 2,658, prej të cilave janë aprovuar 2.379, ndërsa pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore janë refuzuar 279 pako. Këto fletëvotime u takojnë komunave 19 komunave të ndryshme”, ka thënë Elezi.
Ai ka treguar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë duke u zhvilluar të gjitha procedurat e parapara që sa më shpejt që është e mundur të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.