Krahu i Binak Dinës dhe 88 vjetët e bacë Adem Demaçit
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Llogori në Stara Gradishkë: Të burgosurit politikë shqiptarë që kanë bërë burgun në Kroaci kanë qenë kryesisht në Goli Otok, Lepogllavë dhe Stara Gradishkë ndërsa, në bazë të vlerësimit janë dërguar në izolim / veçim në njërën nga Qendrat e Paraburgimit anekand Kroacisë. Ishte edhe një burg për femra në Sllavonska Pozhegë por se aty, për sa kam informata nuk kishte të dënuara politike nga Kosova. Ne që ishim në këto burgje mendonim se të burgosurit politikë shqiptarë në burgjet e Serbisë kishin kushte më të vështira por pas informatave që i morëm, burgjet në Kroaci sa i përket kushteve fizike ishin më të rëndat në ish-Jugosllavi. Goli Otoku kishte një histori të keqe që nga koha e Informbirosë ku të burgosurit politikë, kundërshtarë të Titos në mesin e të cilëve kishte shumë shqiptarë, kalonin nëpër një ferr të vërtetë, të paparë dhe të paimagjinueshëm për një shtet evropian. Pastaj, burgu i Goli Otokut u bë burg për të mitur dhe trajtimi i tyre ishte i mirë sikur edhe kushtet fizike përfshirë këtu mundësinë e shfrytëzimit të detit sipas një orari të caktuar/rutine. Për të keq mbahet mend burgu i Idrizovës, i Zenicës dhe i Spuzhit kurse burgu në Foçë, qysh atëherë i plotësonte të gjitha kushtet që kërkohen nga vendet demokratike, të njohura për respektim të të drejtave të personave të privuar nga liria. Burgu në Lepogllavë ku vuanin dënimin deri me 20 vjet burg (ishte dënimi maksimal për atë kohë) ishte si një burg hetues i madh; qelitë ishin të gjata 2.5 metra dhe të gjëra 1.5 metra. Brenda kësaj hapësire ishin tre krevate, nuk kishte ujë dhe as tualet/nevojtore. Uji ruhej në shishe kurse nevoja fiziologjike kryhej në kibëll/oturak i cili në mëngjes zbrazej në një tualet të përbashkët. Të burgosurit ishin të kategorizuar në kategoritë A, B dhe C ku C-ja ishte kategori dënuese. Thuaja në më shumë se 90% të dënimit kam qenë në këtë kategori. Në Lepogllavë uji ishte i mirë sikur që edhe ajri ishte i pastër sepse gjindej në Zagorje, rajon i pyllëzuar i Kroacisë dhe jo shumë larg kufirit me Austrinë dhe Hungarinë. Ndërkaq, në Burgllogorin në Stara Gradishkë situata ishte ndryshe, dukshëm më e keqe se në Lepogllavë. Aty ishin dhomat me 36 – 40 të burgosur, pjesa dërmuese e të cilëve pinin duhan. Nuk kishte fare ujë brenda e as toalet/nevojtore. Nevojat fiziologjike të burgosurit i kryenin në një bure të madhe metali/me aso që bartej uji më parë në Kosovë nga lumi apo ndonjë burim, e mbuluar me një kapak prej dërrasve që nuk e mbyllte si duhej këtë bure prandaj në dhomë kundërmonte era e urinës/shurrës dhe m…t. Sidomos kjo ishte e theksuar gjatë verës kur temperaturat ishin të larta. Dera e dhomës, pas mbylljes/numërimit në ora 20:00 mbyllej dhe nuk hapej deri në ora 6:00 të mëngjesit kur shkonim të pastroheshim në tualetin e përbashkët. Gjatë kësaj kohe, dera hapej vetëm kur ndonjë i burgosur ishte keq me shëndet apo kur ndodhte ndonjë konflikt midis të burgosurve. Batanijet dhe dyshekët ishin thuaja ato që kishin mbetur pas përfundimit të luftës së dytë botërore, të padinjitetshme për të mbuluar edhe kafshët e lëre më njeriun. Llogori në Stara Gradishkë ishte ndërtuar në një vend moçalik, ishte afër lumit, ajri ishte shumë i ndotur dhr i papastër. Uji ishte i ndotur me llaq dhe kur pastroheshe trupi të mbulohej me ujë të kuq (si gjaku) për shkak të llaqit. Në këto kushte ka vuajtur dënimin Bacë Adem Demaçi i cili asnjëherë nuk u ankua për këto kushte dhe nuk kërkoi që t’i përmirësohen ato. Këpucët i kishte 20 vjet të vjetra ndërsa dimrit për shkak të ngricave , këpucët ngriheshin dhe duhej një kohë për t’i mbathur. Dënimin e tretë prej 15 vjetësh Baca Adem e ka vuajtur në Burgllogorin e Stara Gradishkës, në kushte të tmerrshme dhe në mesin e kriminelëve më të rrezikshëm për faktin se në këtë burg i dërgonin të dënuarit , siç i kishin thënë edhe Bacës drejtuesit e Burgut: “për t’i lënë kockat aty…”. Ne që shkuam më vonë ishim në një situatë më të mirë sepse qëndronim shkurt aty (disa vite) sikur që edhe kushtet ishin përmirësuar pak. Unë kam qenë një vit (1989 – 1990) me Bacën Adem, në një krah/pavijon të përbashkët të Llogorit në Stara Gradishkë prandaj i di kushtet në të cilat ishte Baca. Ndërsa, kishte shumë të burgosur politikë shqiptarë dhe kroatë që kishin ndejtur edhe më gjatë me Bacën e që dëshmojnë për pathyeshmërinë e Bacës edhe në këto kushte dhe refuzimin e çdo trajtimi, si çmim i shklejes së parimeve nga ana e Bacës. Ka të mjerë, qëllimkëqij, të poshtër që kanë deklaruar haptas se Baca Adem Demaçi nuk ka qenë fare në burg por se ka qëndruar në hotel “Moska” në Beograd, në pushimore të ndryshme në bregdet dhe në vende malore, i shoqëruar me femra, kushte këto që nuk i ka pasur as Pablo Eskobari në burgun që e ka ndërtuar për veten e tij në Kolumbi pas marrëveshjes me qeverinë e Kolumbisë. Këto “informata” për Bacën kryesisht kanë dalë nga shqipfolësit, rrogëtarë të Titos, Rankoviqit dhe Sllobodan Millosheviqit. Këto “informata”, pas daljes nga burgi i Bacës kanë dalë nga një grup i strukturuar projugosllav dhe proserb në LDK që, për mision kanë pasur shembjen e personalitetit të Bacës dhe të burgosurve politikë shqiptarë të cilët i konsideronin se mund t’ua rrezikojnë pushtetin që ata e mbanin nën urdhërat e Serbisë. Këta edhe e cilësuan Bacën Adem si marksist, leninist, enverist dhe komunist ndonëse Baca ishte një nacionalist – kombëtar në kuptimin më pozitiv të fjalës. Mbetjet e UDB-së jugosllave dhe serbe si Jeton Qurroi dhe Cuf Guxhovi madje, nga pozitat e tyre projugosllave dhe proserbe e vënin nën dyshim programin politik të Bacës Adem duke e cilësuar si program i drejtuar kah lindja (Rusia) se nga përcaktimi kombëtar. Vetëm sa e vërtetuan thënien se: “një herë i poshtër, gjithherë i poshtër ..”.
Binak Dinaj dhe të burgosurit e tjerë në Stara Gradishkë: Çdo i burgosur politikë në Kroaci e konsideronte si mision të papërfunduar nëse gjatë vuajtjes së dënimit nuk takohej me Bacën Adem Demaçi. Në Burgllogorin e Stara Gradishkës kishte shumë të burgosur politikë shqiptarë në mesin e të cilëve ishin: Binak Dinaj, Fehmi Lladrovci, Nuhi Ahmeti, Avdullah Dërguti, Hafir Shala, Tahir Hani, Asllan – Luan Reshit, Bejtullah Ademi, Idriz Hysenaj, Haki Gashi, Besim Baraliu, Basri Ibrahimi, Hysen Shurdhani, Adem Salihaj, Riza Demaj, Xhabir Morina, Ruzhdi Shkodra, Halit Krasniqi, Hamdi Hajdini, Rrahim Rama, Sejfullah Foniqi, Pajazit Jashari, Bedri Deliu, Ilmi Momqilla, Zaim Beqiri, Zenel Baqaj, Ajet Duli dhe të tjerë emri i të cilëve nuk më kujtohet apo kanë qenë në kohën kur unë nuk isha në Stara Gradishkë. Të gjithë kishin qëndrim të fortë dhe nuk u luhatën asnjëherë nga përcaktimi i tyre politik dhe kombëtar. Të gjithë kishin respekt të jashtëzakonshëm për Bacën të cilin e kishin pikënisje dhe pikësynim për arritje të qëllimeve politike dhe kombëtare. Kur procesi i shpartallimit të ish-Jugosllavisë kishte nisur me pavarësimin e Sllovenisë dhe të Kroacisë, ishte e qartë se të burgosurit politikë shqiptarë në Kroaci, ose do të lirohen ose të transferohen në Serbi. Autoritetet kroate kërkkuan që të burgosurit shqiptarë të bëjnë lutje për lirim, thjesht një lutje formnale por, me sa e di unë, asnjë i burgosur politikë shqiptarë nuk e ka bërë një lutje të tillë. Pastaj autoritetet kroate vet e kishin përpiluar lutjen dhe nga shqiptarët kërkohej vatëm ta nënshkruajnë por, si në rastin e parë, asnjë i burgosur politikë shqiptarë nuk e vuri nënshkrimin në atë lutje. Disa muaj para lirimit, Baca Adem e mbajti një takim me të burgosurit shqiptarë duke kërkuar mendimin e çdonjërit për kohën e kaluar në burg dhe planet për të ardhmën. Ishte intersant fakti se thuaja të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë u deklaruan se pas përfundimit të burgut do ta vazhdojnë aktivitetin politik dhe kombëtar pasi ishim në gjysmë të rrugës drejt cakut të synuar. Fehmi Lladrovci shkonte përtej saj, thoshte se vetëm me armë mund të çlirohemi. Lufta dhe rënia e tij heroike e dëshmon se nuk i kishte vetëm fjalë por se e kishte bindje dhe veprim të domosdoshëm.
Baca Adem pas daljes nga burgu (viti 1990) mbajti kontakte të rregullta me shumicën e ish të burgosurve politikë që u liruan nga burgjet e Kroacisë në një periudhë 3-5 muaj pasi u lirua Baca. Nuhi Ahmeti, Avdullah Dërguti dhe unë ishim më së shpeshti me Bacën, thuja se çdo ditë përmes takimeve dhe vizitave nëpër tërë Kosovën si dhe në Maqedoni. Baca i kishte raporte shumë të afërta me Binak Dinaj, i burgosur në Stara Gradishkë dhe shpesh e vizitonim në shtëpinë e Nakut në Raushiq që i përngjante një kazerme ushtarake. Si nga forma ashtu edhe nga veprimtaria që zhvillohej. Si shumica e shokëve, Binak Dinaj u angazhua në radhët e së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës që nga ditët e para. Në betejën e dytë në fshatin Loxhë midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër Armatës së Jugosllavisë dhe Policisë së Serbisë, në mesmuajin e gushtit të vitit 1998, Binak Dinaj, me një grup ushtarësh të UÇK-së, në një luftë krejtësisht të pabarabartë u plagos rëndë duke e humbur dorën nga një goditje me një predhë. Edhe në atë gjendje, pa e humbur fare vetëdijen, Binak Dinaj rezistoi dhe pasi dora i kishte mbetur varur me një pjesë të lëkurës, Binaku, me dorën e shëndosh e shkëput dorën e goditur nga predha. Realisht, Binak Dinaj, e them jo vetëm figurativisht e humbi krahun që ia pamundësoi të fluturonte drejt betejave dhe fitoreve tjera por ua mundësoi të tjerëve ta vazhdojnë fluturimin drejt fitores dhe drejt lirisë. Për fat të mirë, Naku e priti edhe fitoren, edhe lirinë. U detyrua të shkojë në Gjermani për mjekim meqë këtu nuk kishte as kushte e as vëmendjen e duhur. Të papërgjegjshmit e pushtetit aktual nuk bënë asgjë as për sigurimin e protezave për ata që e nderuan Kombin dhe vendin duke vënë dhe lënë peng edhe gjymtyrët e trupit! Në mesin e tyre ishte edhe shoku ynë i mirë dhe i urtë, Binak Dinaj që e la krahun në betejën e Loxhës pa kërkuar asgjë për këtë sakrificë në kohën kur dezertorët e Betejës së Loxhës u shpallën heronj. Çfarë mbrapshtësie dhe poshtërsie, nga ata që e bënë sikur edhe nga ata që e pranuan këtë!
E them me përgjegjësinë më të madhe se Baca Adem Demaçi ishte personi më i persekutuar, që nga burgosja e parë, dalja nga burgu i tretë e deri sa kaloi në amshim, nga vet shqiptarët apo ata që flisnin shqip dhe mendonin serbisht. Politikisht iu mbyllën të gjitha mundësitë, materialisht varej nga shokët (deri vonë) kurse kombëtarisht nuk mbeti kush pa e sulmuar, këta të Vidovdanit, shkollës së Kumrovcit dhe të konvertuarit alkimistë brenda natës, nga të qenit rrogëtarë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe të Serbisë, tash në “demokratë” të LDK-së. Askush nuk e donte të gjallë, të gjithë e donin të mos ishte gjallë. Kur kaloi në amshim ceremoninë e varrimit, krahasuar me ceremoninë që ua bënë komunistët e LDK-së liderit të tyre, ishin thuaja anarkike, pa asnjë organizim dhe ishte shpërfillje e një realiteti që ndryshoi historinë e re të shqiptarëve. Sa nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore kujdesi i shtetit ishte thuaja i papërfillshëm, frikësisht turpërues. I mbetën vetëm një grup shokësh që udhëtuan me Bacën që nga llogori i Stara Gradiishkës e deri sa kaloi në amshim. Një grup shokësh që edhe sot mundohet të ecë rrugës së Bacës Adem, qoftë edhe përmes kujtimeve. Që mban kontakte thuaja të rregullta e që takohen me Bacën sidomos në dy data; në ditën kur lindë dhe në ditën kur kaloi në amshim. Dje, Baca Adem Demaçi, po të ishte gjallë do t’i kishte 88 vjet, në aspektin statistikor konsiderohet shifër e përfillshme, në aspektin e krijimit të veprës konsiderohet si periudhë e pamatshme. Në rreshtim të respektimit të veprës së papërsëritshme të Bacës Adem Demaçi ishim disa shokë që kishim mundësi që fizikisht të jemi aty duke përfaqësuar edhe shokët që fizikisht nuk kishin mundësi të ishin aty. Ishte Nuhi Ahmeti, Basri Ibrahimi, Haki Gashi, Elmi Zeka dhe Binak Dinaj. Ne përfaqësuam edhe Idrizin, Besim Baraliun, Tahir Hanin, dr. Baliun, Limanin, Luanin, Bejtën, Avdullahun dhe Elmi Reçicën. Vizituam edhe familjen e Bacës dhe u respektuam nga zonja Arbërie Demaçi.
Përveç respektit për Bacën Adem që është edhe kusht i domosdoshëm për ne si njerëz, si komb dhe si shtet, respektuam edhe krahun e Nakut, i lënë peng për lirinë edhe të atyre që nuk e meritojnë, një pjesë e së cilëve sot janë në pushtet. Dikush e viziton Bacën si refleks shpirtëror dhe domosdoshmëri, të tjerët sepse janë të veshur dhe mbuluar me pafytyrësinë e tyre të të gjitha pushteteve, që nga e kaluara, deri më sot.