Kraja e bën përgjegjëse këtë redaksi për këto tetë gabime në Fjalorin enciklopedik
Akademik Mehmet Kraja, në një intervistë dhënë për numrin e katërt të revistës “Akademia”, e cila është botuar edhe në gazetën “Epoka e re” në versionin e shtypur dhe në atë elektronik, ka folur, ndër të tjera, edhe për nja tetë gabime profesionale që janë lëshuar në “Fjalorin enciklopedik të Kosovës”.
Për këto gabime Kraja ka treguar përgjegjësit.
“1. Mungon Bajram Rexhepi (përgjegjëse redaksia e fushës politike-juridike: Blerim Reka, Osman Ismajli, Ilir Dugolli);
2. Viti i lindjes i gabuar për Ibrahim Rugovën (përgjegjës autori i tekstit: Blerim Reka);
3. Mungon Luljeta Pula-Beqiri (përgjegjëse redaksia e fushës politike-juridike);
4. Mungojnë gazetat “Bota e re”, “Zëri i Kosovës” dhe “Epoka e re” (përgjegjëse redaksia e fushës së informimit: Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Rrahman Paçarizi);
5. Emri i gabuar i Rexhep Murtez Shalës në legjendën e fotografisë (përgjegjës autori i tekstit: Agron Gashi);
6. Datë e gabuar në tekstin për Frang Bardhin, në vend 1743 duhet 1643 (përgjegjës autori i tekstit: Rexhep Ismajli);
7. Biografia me të dhëna të gabuara e Jakup Cerajës (përgjegjës autori i tekstit: Kujtim Rrahmani);
8. Fshati Vërban i komunës së Vitisë duhet të jetë Vërboc i komunës së Kllokotit (përgjegjës kryeredaktori, pra unë, sepse kam pranuar ndërhyrjen e lektorit të fundit të tekstit, Shefqet Rizës).
Këto janë tetë “zbulimet e mëdha” të gabimeve në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës! Besoj dhe është krejt e natyrshme të ketë edhe më shumë, por kaq gabime të pranueshme janë evidencuar deri tani”, ka thënë akademiku Kraja.
/Epoka e re/