Kraja: Marrëveshjet me Serbinë janë “shkarravina”, Asociacioni ia vë lakun në fyt Kosovës
Kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, ka kritikuar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.
Kraja ka kritikuar edhe marrëveshjet tjera të arritura me Serbinë në dialog.
“Dhjetë vjet dialog nuk do të thotë gjë, as prioritet i katërt ose i katërmbëdhjetë, por është diçka tjetër më substanciale që duhet parë nga afër: paqëndrueshmëria e Kosovës në këtë dialog, gënjeshtrat e vazhdueshme që e kanë shoqëruar atë, koncesionet që Kosova ia ka bërë Serbisë dhe, mbi të gjitha, pabarazia e Kosovës në këtë proces”, ka thënë ai në një intervistë për Klan Kosova.
“Merrni marrëveshjet që janë arritur me Serbinë (Akademia i ka botuar), lexojini me kujdes dhe do të shihni se të gjitha janë “shkarravina” pa asnjë vlerë, me përjashtim të asaj për “Asociacionin e Komunave Serbe të Kosovës”, e cila ia vë lakun në fyt Kosovës. Unë çuditem pse analistët politikë nuk i lexojnë këto marrëveshje, por çdo natë në TV tjerrin dokrra dhe i qesin hi pluhur opinionit, sikur ata janë njohës dhe ekspertë të mëdhenj të çështjeve tona. Nuk janë! Nuk janë as ata që i kanë negociuar këto marrëveshje, as ata që kanë udhëtuar orë e çast në Bruksel, as padronët e tyre në Prishtinë. Pse asnjëherë, asnjë qeveri, as kjo e fundit, megjithëqë premtoi, nuk bëri ekip të ekspertëve? Sepse duan të spekulojnë, sepse duan ta përdorin dialogun për përfitime politike”, shtoi ai.
Ai shkon edhe më larg, duke thënë se marrëveshjet me Serbinë janë bërë duke mos e konsideruar Kosovën si shtet por si territor të Serbisë ose brenda kornizave të Rezolutës 1244.
“Thënë shkurt, të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel kanë një vijë të kuqe: që të mos preket me asnjë fjalë Rezoluta 1244 e OKB-së dhe që Serbia të konsiderojë Kosovën “territor të brendshëm”. A e dinë njerëzit tanë se në të gjitha marrëveshjet Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë, në të gjitha, pa asnjë përjashtim! Dhe tani i vihet Kosovës laku në fyt për Asociacionin, i thuhet se ajo është marrëveshje ndërkombëtare dhe se ajo “i mbikalon” të gjitha dispozitat kushtetuese dhe se ajo duhet të zbatohet me çdo kusht. Por a e dinë analistët dhe politikanët tanë se marrëveshjet ndërkombëtare për të marrë fuqinë përkatëse, duhet të ratifikohen nga të dy vendet? Kosova, nën trysninë ndërkombëtare, e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por askush nuk del të thotë se Serbia nuk e ka bërë këtë, vetëm e ka kaluar në parlamentin e vet “si informatë”, sepse ratifikimi do të nënkuptonte njohje të Kosovës. Më anë tjetër, pse nuk thuhet decidivisht: nëse Kosova u dashka ta ndryshojë Kushtetutën për shkak të Asociacionit, po këtë duhet ta bëjë edhe Serbia, sepse ajo duhet ta heqë Kosovën nga preambula dhe nëse e njeh Kosovën si shtet të pavarur, asnjë asociacion, në përputhje me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Lokale nuk i bën asnjë dëm Kosovës”, ka thënë tutje ai.
Ai ka folur edhe për pritshëritë për qeverinë e re, duke thënë se kërkon që ASHAK të mbetet e pavarur.