Kraja u përgjigjet kolegëve të Akademisë: Marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të tekstit
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja ka reaguar menjëherë pas deklaratës së lëshuar nga Seksioni i Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut lidhur me tekstin e publikuar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Lidhur me deklaratën e Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK rreth tekstit të analizës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, Kraja ka theksuar se e sheh të nevojshme të sqaroj se si kryetar i ASHAK-ut nuk është në pozitë të imponoj, e as nuk ka imponuar asnjë sjellje arbitrare, përveç se ka kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit, të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në akademi.
“E dyta, lidhur me reagimin rreth analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, duhet të saktësoj se me datë 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë është diskutuar teksti i analizës dhe, mbështetur në procesverbalin e mbledhjes (nuk mund ta bëj publik pa vendim Kryesie, prandaj duhet ta parafrazoj) është diskutuar teksti i analizës…”, ka shkruar Kraja në “Facebook”.
Ai thotë se gjatë publikimit në uebfaqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni i tij i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar.
“Në fund, edhe përkundër koncensusit të gjerë mes anëtarëve të Akademisë dhe mbështetjes nga anëtarët e Kryesisë, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti”, ka shkruar Kraja.
Reagimi i plotë i Mehmet Krajës:
REAGIM NDAJ DEKLARATËS SË SEKSIONIT TË SHKENCAVE SHOQËRORE TË ASHAK-ut
Lidhur me deklaratën e Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK rreth tekstit të analizës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” e shoh të nevojshme të sqaroj si në vijim:
E para, si kryetar i ASHAK nuk jam në pozitë të imponoj, e as nuk kam imponuar asnjë sjellje arbitrare, përveç se kam kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit, të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në Akademi.
E dyta, lidhur me reagimin rreth analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, duhet të saktësoj se me datë 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë është diskutuar teksti i analizës dhe, mbështetur në procesverbalin e mbledhjes (nuk mund ta bëj publik pa vendim Kryesie, prandaj duhet ta parafrazoj) është diskutuar teksti i analizës dhe sipas radhës, janë shprehur këto qëndrime:
1. Justina Shiroka-Pula, nënkryetare, e përkrah si iniciativë dhe thotë se ia ka përcjellë kryetarit disa sugjerime;
2. Luan Mulliqi, sekretar shkencor, e mbështet analizën dhe kërkon që ajo të publikohet menjëherë;
3. Sabri Hamiti, sekretar i seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e quan politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj;
4. Gjylieta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;
5. Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;
6. Rauf Dhomi, sekretar i Seksionit të Arteve, e mbështet analizën dhe sugjeron që ajo të publikohet menjëherë;
7. Mehmet Kraja, kryetar, e mbështet analizën dhe publikimin e saj.
Ndonëse nuk kishte obligim statutor (për çfarëdo publikimi është kompetente Kryesia), me propozimin e kryetarit, Kryesia vendosi që teksti i analizës t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Akademisë dhe me mesazhin e bashkëlidhur iu kërkua anëtarëve që për vërejtjet eventuale të shprehen me shkrim në një afat prej 10 ditësh (24 janar 2022).
Nga të gjithë anëtarët e Akademisë (38 anëtarë), janë përgjigjur me shkrim dy anëtarë: akademik Isa Mustafa dhe anëtari korrespodent Arsim Bajrami.
Ndërkaq, gjatë publikimit në ueb-faqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni im i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar.
Në fund, edhe përkundër koncensusit të gjerë mes anëtarëve të Akademisë dhe mbështetjes nga anëtarët e Kryesisë, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti.
Mehmet Kraja
Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës