Krasniqi, ambasadorit amerikan: PDK-ja do të japë kontribut për temat nacionale
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur të martën në takim ambasadorin e ri amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Krasniqi ka thënë se ambasadorit Hovenier i ka uruar mirëseardhje në Kosovë, duke i ofruar të gjithë bashkëpunimin e Partisë Demokratike të Kosovës.
Lideri i PDK-së ka bërë me dije se bashkë me ambasadorin amerikan diskutuan edhe për tema të ndryshme në raport me zhvillimet aktuale politike në vend.
“Ambasadorin Hovenier e sigurova se Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e opozitës, do të jetë gjithmonë e gatshme që të jap kontributin e saj për temat e interesit nacional, e veçanërisht në fuqizimin e mëtejmë të raporteve Kosovë-SHBA. Po ashtu, me ambasadorin Hovenier diskutuam shtruar për prioritetet e përbashkëta strategjike në fushat e qeverisjes së mirë, zhvillimit ekonomik dhe integrimit Euro-Atlantik. Ambasadorin Hovenier e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj Kosovës në të gjitha fushat”, ka thënë Krasniqi.