Krasniqi: Anëtarësimi i Kosovës në UEFA, shpërtheu izolimin shumëvjeçar të futbollit

03 maj 2022 | 14:51

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kujtuar gjashtëvjetorin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA.

Krasniqi, i cili atë kohë ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë se viti 2016 ishte moment i shpërthimit të izolimit shumëvjeçar të futbollit kosovar.

“Padyshim, meritat më të mëdha për këtë sukses historik që ia mundësoi Kosovës përfaqësimin dhe garimin në arenën ndërkombëtare në sportin më të popullarizuar në botë, i ka ish-presidenti historik i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri. Ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme që një pjesë të rrugëtimit dhe lobimit për pranimin e FFK-së në UEFA e kemi bërë së bashku me Fadilin, mikun dhe bashkëpunëtorin tim të afërt për më shumë se tri vjet sa isha ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se sot, yjet e Kombëtares së Kosovës po shndritin nëpër ligat më të mëdha të futbollit në botë, duke ngritur lartë ngjyrat dhe vlerat e shtetit tonë.

“Urojmë që këtë vit, në kuadër të Ligës së Kombeve, Kosova të arrijë suksesin e kërkuar e të merituar për kualifikim në Euro 2024”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Edi Rama, pas fjalës së presidentit ukrainas, Volodimir Zelensky…