Krasniqi: ASK-ja e gatshme për regjistrimin e popullsisë
Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës Isa Krasniqi, sot ka prezantuar ecurinë e punës për regjistrimin e popullsisë, ekonomisë familjare dhe banesave në vitin 2021.
Krasniqi ka deklaruar se përgatitjet për regjistrim të popullsisë në vitin 2021 kanë filluar që dy vjet dhe se tani janë në fazën kur kanë edhe koncept-dokumentin që kërkon të aprovohet nga Qeveria, e pastaj edhe nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, procesi i regjistrimit të popullsisë do bëhet sipas standardeve evropiane dhe do ketë impakt të rëndësishëm për Kosovën.
Krasniqi po ashtu kërkoi përkrahjen e të gjitha institucioneve të vendit lidhur me regjistrimin e popullsisë.
Ndërsa, Drejtori i Statistikave Sociale dhe menaxheri i regjistrimit të popullsisë 2021, Avni Kastrati, ka thënë se regjistrimi i popullsisë do bëhet derë më derë përmes metodës ‘Capi’ ku regjistrimi në terren do bëhet për 30 ditë. Sipas tij deri tani kanë përgatitur dokumentet bazike pasi që në vijim përkatësisht në vitin 2020 do ketë intensitet të aktiviteteve.