Krasniqi bën homazhe te Kompleksi Memorial në Meje të Gjakovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë sot homazhe te Kompleksi Memorial në Meje të Gjakovës, në 23-vjetorin e masakrës më të madhe që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë gjatë luftës ku janë vrarë e masakruar 376 civilë, në mesin e tyre, fëmijë gra e pleq.
Krasniqi është shprehur se Masakra e Mejës shpërfaq barbarinë e regjimit serb, qëllimi i të cilit ishte spastrimi etnik i shqiptarëve.
“Masakra e Mejës, ndër më të mëdhatë të kryera në Kosovë, shpërfaq barbarinë e një regjimi, qëllimi i vetëm i të cilit ishte spastrimi etnik i shqiptarëve. Por, gjurmët e këtyre krimeve nuk mund të fshihen asnjëherë.
Zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkimi i kriminelëve të luftës, do të jenë përherë kërkesat e Kosovës derisa drejtësia të vihet në vend. Lavdi martirëve të Masakrës së Mejës!”, ka thënë Krasniqi.