Krasniqi: Besës i ka mbetur vetëm emri
Festim Krasniqi, që ishte një prej lojtarëve më të mirë në skuadrën e Besës, ka treguar për “Epokën e re” se aventura e tij me klubin pejan ka përfunduar.
Futbollisti Festim Krasniqi me sukses i mbrojti ngjyrat e skuadrës së Besës në sezonin vjeshtor, duke qenë një nga lojtarët më të mirë për skuadrën pejane. Megjithatë, ai është ndarë i zhgënjyer me atë që ka përjetuar në këtë klub, prandaj ka vendosur edhe të largohet përfundimisht, për të gjetur një klub të ri. “Kam shkuar në skuadrën e Besës me dëshirë dhe vullnet të madh, por ajo nuk ka qenë aspak korrekte me mua. Kam pritur se do të jetë krejt ndryshe për faktin se Besa është një klub me traditë, por ky nivel tregon se këtij klubi i ka mbetur vetëm emri. E kam njoftuar edhe klubin se në pranverë nuk do të jem pjesë e tij”, ka thënë Krasniqi për “Epokën e re”.
Aktualisht Besa e Pejës është në pozitën e dytë në Ligën e Parë të Kosovës në futboll me dy pikë më pak se skuadra e Vushtrrisë, kurse është eliminuar nga gara e Kupës. Festim Krasniqi ka thënë se, po të shkonte gjithçka sipas planprogramit të Ismet Munishit, rezultatet do të ishin shumë më të mira. “Nuk besoj se kanë qenë rezultate aq të mira. Po të punohej sipas planprogramit të trajnerit Ismet Munishi, gjithçka do të ishte më mirë. Këto probleme na kanë penalizuar, pasi Besa ka mundur të jetë në pozitën e parë me diferencë pikësh”, ka shtuar ai.
Autori i tetë golave me Besën e ka përjashtuar çdo mundësi që të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës pejane pasi ende nuk i ka kryer shumë obligime ndaj futbollistit në fjalë. “Nuk do të vazhdoj të luaj për Besën edhe po qe se i kryen të gjitha obligimet ndaj meje. Mund të them se ky gjashtëmujor ka qenë ndër më të mundimshmit në karrierën time. Me Besën i kemi ndarë rrugët dhe shumë shpejt do të vendos për të ardhmen”, ka deklaruar Krasniqi.
Futbollisti në fjalë ka konfirmuar bisedimet me skuadrën e Vëllaznimit nga Gjakova, por ka treguar se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Festim Krasniqi ka bërë karrierë në shumë klube të Kosovës. Përveç Besës, ka djersitur edhe fanellën e Trepçës ’89, Vllaznisë së Pozharanit, Llapit, Prishtinës, Vushtrrisë dhe Dritës, kurse në Shqipëri ka luajtur për Partizanin dhe Laçin.
/Veton ZYMBERI/