Krasniqi: Bizneset kërkojnë uljen e tarifave nga bankat komerciale
Kamata prej 5 për qind për kthimin e parave të imëta, tarifat në Master dhe Visa Card, POS-ët, rritja e tarifave në regjistrimin e makinave për 26 për qind, mundësia e kufizuar e deponimit të parave dhe mungesa e sigurisë gjatë deponimit në ATM, ishin disa nga arsyet për të cilat Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka mbajtur të martën konferencë për media.
Kryetari i OAK-ut, Skënder Krasniqi, ka thënë se Oda e Afarizmit të Kosovës gjatë këtij viti ka pasur dy takime me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, ku i kanë shprehur shqetësimet bizneseve lidhur me këto probleme. “Kamata prej 5 për qind është një problem që përballen bizneset të cilat kanë punë me para metalike, për kthimin e tyre në kartëmonedha. Pra, për 1 000 euro pësojnë humbje 50-80 euro. Me këtë ballafaqohen më së shumti furrat e bukës dhe marketet, të cilat më së shumti posedojnë para metalike që rrjedhin nga shitja e produkteve të tyre”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai po ashtu ka rikujtuar se lidhur me këto çështje OAK-u së bashku me sektorin e bukëpjekësve ka bërë një peticion të cilin ia ka dërguar kryeministrit, ministrit të Financave, ministrit të Tregtisë dhe Industrisë dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik me datë 31.12.2018 si dhe ka realizuar dy takime me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ku janë informuar se kjo kamatë është vendosur nga BQK-ja dhe e cila do të shqyrtohet për largim, por që sipas tij, ende nuk kanë ndërmarrë asgjë.
Krasniqi ka thënë se Kosova ka tarifat më të larta të Master dhe Visa Card në rajon, derisa në Serbi tarifat në shkëmbim janë 0.2 për qind deri 0.3 për qind, Kosova për transaksione më pak se 25 euro e ka 0.8 për qind apo 400 për qind më të lart dhe tarifat tjera variojnë nga 1.2 për qind deri 2 për qind apo rritje nga 600 për qind deri në 1,000 për qind më të larta.
“Tarifat e pagesave nga POS-ët në markete po sillen nga 1.3 për qind deri në 2 për qind, kjo po i zhgënjen qytetarët që të bëjnë pagesa me kartela për shkak të tarifave të larta. Bankat kanë garancionet e veta dhe kjo nuk duhet t’i vihet në barrë biznesit dhe qytetarit”, është shprehur Krasniqi.
Oda e Afarizmit të Kosovës ka ftuar edhe njëherë Bankën Qendrore të Kosovës që t’i marrë parasysh këto vërejtje dhe t’i dalë në ndihmë biznesit dhe qytetarëve, pasi kjo do të ndikojë në rritjen e pagesave, rritjen e biznesit dhe zvogëlimin e informalitetit në vend.
Qëndrim Kryeziu, pronar i biznesit anëtar në OAK “ISP Broadcast”, ka përmendur disa nga problemet me të cilat po ballafaqohen bizneset siç janë, numri i ulët i bankomatëve dhe numri i degëve të bankave në komuna.
Sipas tij, shqetësim tjetër është mungesa e sigurisë gjatë deponimit në ATM, kufizimi i shumës që deponohet dhe mundësia e deponimit të parave “cash” në ATM.
Kryeziuka deklaruar se këto po u shkaktojnë ngarkesë të madhe financiare bizneseve dhe është duke i dëmtuar në punën e përditshme të tyre.
/Epoka e re/