Krasniqi: Bizneset që mbyllen duhet të mbështeten
Mbyllja për dy javë për disa sektorë të bizneseve dhe pa ndonjë plan për përkrahje financiare të bizneseve ka ngritur shqetësime te komuniteti i biznesit në Kosovë.
Bizneset do të dëmtohen rëndë nga kjo mbyllje dhe se pasojat do të jenë të rëndë për ekonominë e vendit, ndoshta dhe katastrofale. Kështu ka thënë kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi.
Krasniqi i ka rekomanduar Qeverisë së vendit që para se të merren çfarëdo masa duhet të bëjë analiza për efektet dhe kundërefektet që do të vijnë nga vendimet meqë thekson se dëmet që do të krijohen do të kenë pasoja për shumë vjet.
“Ne si Odë e Afarizmit të Kosovës në kontinuitet kemi kërkuar që asnjë masë të mos merret pa asnjë përkrahje dhe plan paraprak për përkrahje financiare të bizneseve. Para se të merret një vendim të analizohet përkrahja, të njoftohen bizneset për përkrahjen që do të marrin në rast të vendimit për mbyllje”, ka deklaruar Krasniqi.
Krasniqi ka treguar edhe hapat që duhet të marrë qeveria para se ta sjellë vendimin për mbyllje, duke shtuar edhe se vendimet e mëhershme të llojit të njëjtë i ka dëmtuar bizneset. “Ky vendim i shpejtë është vendim i dëmshëm për bizneset dhe qeveria e cila tashmë është konsoliduar dhe është në përbërje të plotë do të duhet që me urgjencë të ketë takime, dhe të bëjë analiza për efektet dhe kundërefektet që do t’i merr një vendim, në këtë rast gastronomisë për mbyllje dhe përkrahje financiare paraprake dhe pastaj vendim për mbyllje. Këto vendime që janë marrë më herët në këtë mënyrë e kanë dëmtuar shumë biznesin. Është planifikuar përkrahje financiare për punëtorët me vlerë 170 euro dhe ato 170 euro kanë qenë në ekstrem të vogla, janë bërë me muaj e muaj vonesë dhe e kanë dëmtuar ekstrem shumë biznesin. Një gjë e tillë nuk do të duhet të përsëritet, duhet paraprakisht plani, etiketimi i bizneseve, numri i bizneseve, planifikimi i përkrahjes financiare, ndarja e buxhetit dhe alokimi i ndarjeve për buxhetin dhe pastaj mbyllja”, u shpreh Krasniqi.
Ai tutje ka thënë se nuk janë kundër vendimeve të cilat janë në interesa nacional sikurse këto për pandeminë Covid-19, por thekson se duhet veprohet me maturi.
Krasniqi ka radhitur pasojat që mund të jenë katastorfale për bizneset dhe ekonominë e vendit. “Ne si biznese dhe si Odë nuk jemi kundër vendimit që është në interes nacional sikur që është në këtë rast me pandeminë por do të duhet të veprohet siç po veprojnë vendet e tjera në përkrahje të bizneseve me përkrahje financiare. Ne kemi mbetur jetim nga mospërkrahja dhe injorimi që iu është bërë biznesit nga institucionet, një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet sepse goditja që iu është bërë bizneseve vitin e kaluar me mospërkrahje do të ketë pasoja edhe në vitet në vijim dhe nëse vazhdohet me të njëjtin veprim atëherë dëmet që do t’i ketë biznesi dhe shtetit me mungesë të të hyrave, rritje të papunësisë do të jenë të paevitueshëm dhe ndoshta edhe katastrofale dhe do të duhet jo një vit apo dy por pesë e dhe 10 vite për të ardhur në një gjendje në të cilën kemi qenë. Në rast se vazhdohet me politikat e njëjtat siç ka qenë deri tash do të kemi një tragjedi ekonomike në vend, që nënkupton edhe me gjendje të rëndë ekonomike dhe papunësi dhe gjendje të rëndë të qytetarëve. Do të kemi një rritje të eksodit. Për këtë ne duhet të marrim masa paraprake”, u shpreh Krasniqi./KP