Krasniqi boton librin “Lule mes ndërtimesh të egra”

29 dhjetor 2020 | 13:25

“Lule mes ndërtimesh të egra” është titulli i librit me poezi i autorit Uran Krasniqi botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni” në Prishtinë. Ky libër është ndarë në dy cikle. Në ciklin e parë janë pesëdhjetë poezi, kaq edhe në të dytin. Sipas autorit të librit, këto krijime poetike reflektojnë ndjenjën dhe mendjen e tij.

Redaktori i librit, Halil Matoshi, ka thënë se fjala poetike e Uran Krasniqit është e bukur për të qenë e ashpër dhe po aq e befasishme për të qenë shpatë. “Shpatë goje. Për vargjet e tij nisa të interesohem pasi e lexova poezinë ‘Kartolinë urimi Peter Handkes’. Në këtë poezi autori nuk mallkon por, përmes imazheve nga lufta e Kosovës, krijon panoramën e një kinse urimi për nobelistin Handke, përmes së cilës i flet ndërgjegjes së botës. Pamje të vuajtjes njerëzore, të sublimuara te fëmija i masakruar me biberon në gojë, Valmir Deliu, ikonë e luftës së Kosovës. Por, e përbashkëta e poezive tubë në këtë libër është trishtimi, madje edhe kur autori shkruan për dashurinë, të cilën e realizon në shkrimin si një univers paralel. Krasniqi, edhe nëse nuk i arrin majat poetike, ai po që është unik si për nga verbi poetik si për diskurs. Te poezia ‘Mount Everest’, p. sh., autori e di saktë se ideja e pushtimit të majave më të larta bëhet me manifest estetik, si e vetmja mënyrë për ta mbijetuar – pra duke mos e provuar pushtimin e Everestit real. Impresionuese poezia ‘Turkesha’, përmes së cilës poeti arrin ta skicojë portretin e vajzës që nuk i shqitet nga mendja mu sikur historia e mesjetës nga e cila nuk mund të dalin ballkanasit!?”, ka vlerësuar Matoshi.

 

MISION I PAMUNDUR

 

Oqeaneve të fjalëve varkën e lundrova,

zonave të paprekura gjeta çdo leksik.

As me nimfë e shtojzovalle s’u mjaftova,

për në liman u ktheva vrik.

 

Barkën me gjithë lopata në breg e lashë,

për t’iu rrekur pyjeve të kërkimit.

As nëpër hieroglifë emrin s’ta pashë,

misionit seç m’i ra hije e dështimit.

 

Çdo yll në hapësirë u mundova ta lexoj,

kur shpresë e fundit më mbeti qielli.

Edhe kometat u përpoqa me shikim t’i shpoj,

sikur sytë të mos m’i digjte dielli.

 

I rraskapitur u tërhoqa nga odiseja,

opsion tjetër s’pata kur e shpenzova të tretin.

S’kisha çka hulumtoj kotnasikoti udhë të reja,

kur ty Zoti të krijoi fillikat e veç ai ta di identitetin.

 

ÇAST

 

Mezi pres që të bëhet nesër

kur e di që do të shohë ty,

dhe bota më vjen krejt tjetër,

sa herë që takohemi ne dy.

 

Kur mes vete na takohen buzët,

asnjë kut s’e zë sa e përjetoj,

bombë edhe më hedhin te hundët,

por për pasoja unë s’mendoj.

 

MOUNT EVEREST

 

Ajo ishte një majë e papushtuar,

Mount Everest ajo vërtet ishte,

sa thoshe tash në krye kam shkuar,

kur e shihje se vetëm në fillim ishe.

 

Asgjë s’të ndihmonte alpinist të ishe,

vetëm një mënyrë ishte ta pushtoje,

jo duke synuar që të të ngjiteshe,

po që asnjëherë të mos ia filloje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kazermën “Adem Jashari” të FSK-së, ministri i Mbrojtjes Anton…