Krasniqi: Brenda 100 ditëve të qeverisjes, në koordinim me SHBA-të do të rinisim anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

02 shkurt 2021 | 16:58

Nënkryetari i PDK-së, njëherësh kandidat për deputet, Memli Krasniqi, ka thënë se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, PDK do ta heq moratoriumin diplomatik të Qeverisë aktuale dhe do të ndërmarrin një iniciativë të koordinuar me SHBA-të dhe vendet mike të Bashkimit Evropian, për të aplikuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Brenda 100 ditëve të para, ne do ta riorganizojmë platformën shtetërore për rikonfigurimin e marrëdhënieve diplomatike me vendet me të cilat është lënduar raporti diplomatik nga paaftësia e qeverive Kurti e Hoti, si dhe do të riorganizojmë qasjen tonë për njohje të reja, jo vetëm si formalitet por edhe si përmbajtje”, ka thënë Krasniqi përmes një video mesazhi ku ka shpalosur një pjesë të prioriteteve të PDK-së për politikën e jashtme dhe rimëkëmbjen e imazhit të Kosovës. “Kështu do ta kundërshtojmë Serbinë në iniciativën e saj kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës në botë. Kështu do t’ia pamundësojmë Serbisë veton mbi prezencën tonë në rrafshin ndërkombëtar.

Brenda 100 ditëve të para, ne do ta rikthejmë në arenën ndërkombëtare, historinë e vërtetë të shtetit tonë dhe rrugës së tij drejt pavarësisë, për ta konfrontuar hapur e drejtpërdrejtë përpjekjen e konsolidimit të imazhit humanist të shtetit serb, në kurriz të Kosovës, popullit të saj dhe luftës së drejtë për liri dhe pavarësi”, tha Krasniqi i cili mbanë numrin 5 në listën e kandidatëve të PDK-së. Ai po ashtu ka theksuar se me platformën e Rimëkëmbjes që do të zë vend që në 100 ditët e para të qeverisjes së PDK-së, kapacitetet e Kosovës për mbrojtje dhe siguri do të dyfishohen.

“Dinjiteti dhe e vërteta jonë nuk do të mund të tjetërsohen. Përkundrazi. Me ne, Kosovën e pret një hapje e re ndaj botës së zhvilluar e demokratike. Orientimin tonë të përhershëm perëndimor do ta vendosim në një kurs të pakthyeshëm dhe të përhershëm. Efektet e rimëkëmbjes së shtetit tonë në planin e jashtëm, më së shumti do t’i ndjejnë qytetarët dhe veçmas të rinjtë tanë. Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për t’i marrë këto përgjegjësi. Prandaj me 14 shkurt, na duhet mbështetja juaj”, ka thënë Krasniqi.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka njoftuar se pavarësisht…