Krasniqi dhe Bajramaj: Luajmë për fitore ndaj Skocisë
Kombëtarja e Shqipërisë për femra, e drejtuar nga trajneri Armir Grima, është duke u stërvitur në qytetin e Elbasanit, në prag të ndeshjes kualifikuese kundër Skocisë e cila do të zhvillohet më datë 8 nëntor, në “Elbasan Arena”, në orën 18:10.
Në prag të kësaj ndeshjeje, për të folur për përgatitjet, gjendjen e skuadrës dhe kundërshtarin që kanë përballë, në konferencë kanë dalë Qëndresa Krasniqi dhe Zylfije Bajramaj. Krasniqi ka shfaqur optimizëm përpara ndeshjes me Skocinë.
“Kemi ardhur për fitore. Shpresoj ta japim maksimumin për këtë objektiv. Më e rëndësishme është të paraqitemi mirë si ekip dhe uroj që në fund rezultati të jetë i mirë. Arma më e fortë është se jemi të gjithë të bashkuara. Jemi një grup shumë i mirë dhe besoj se kjo do të na ndihmojë shumë që të paraqitemi mirë në fushë. Shpresoj të ketë një numër të madh të tifozëve, pasi na ndihmon shumë të luajmë mirë, na motivojnë”, ka thënë Krasniqi. Ndërsa Zylfije Bajramaj ka deklaruar: “Harmonia është e mirë dhe besoj se do të kemi rezultat të mirë këtë ndeshje. Gjithmonë jemi të bashkuara. Normalisht që ne kemi ardhur për fitore dhe duam tri pikët, por edhe me një barazim do të ishim të kënaqura. Pritshmëritë për kombëtaren e femrave? Besoj se në një të ardhme do të kemi një emër dhe do të hyjmë në elitën ndërkombëtare. Besoj se do të bëjmë emër si ekipet e mëdha”.