Krasniqi: Do jem ministri i parë nga Peja që do ta shijoj rrugën e kryer Pejë-Prishtinë
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se do të jetë ministri i parë në detyrë, nga Peja i cili do ta shijojë udhëtimin e përditshëm për në punë në rrugën e kryer Pejë-Prishtinë.
Kështu ka thënë ai sot në “Radio 1”.
‘Një tregim i gjatë e i ndërprerë, që edhe 22 vite pas luftës nuk mori epilog, me Qeverinë Kurti do kryhet. Tani është ndarë edhe një pjesë e mire e buxhetit nga Qeveria jonë, ministria përkatëse për aksin Zahaq-Kijevë dhe ky tregim në afat rekord do mbyllet. I bindur them se me Qeverinë Kurti, do jem ministri i parë në detyrë nga Peja, i cili do ta shijoj udhëtimin e përditshëm për në punë në rrugën e kryer Pejë-Prishtinë”.
Ndryshe çështja e përfundimit të projektit të magjistrales Prishtinë-Pejë ka qenë premtim i pa realizuar deri më tani, i shumë qeverive të kaluara e veçanërisht i shumë deputetëve dhe ministrave të kaluar, me prejardhje nga Peja apo rrafshi i dukagjinit.
Adem Grabovci, Xhavit Haliti, Qeveria Haradinaj e kishin premtuar përmbylljen e këtij projekti në afate të caktuara mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe projekti ende vazhdon të mbetet i pakryer.
Tutje ministri Krasniqi ka folur edhe për projekte tjera të Qeverisë Kurti përderisa ka sqaruar rëndësinë e aplikimit të komuniteteve për polic të Kosovës në stacionin veri si dhe aplikimin e të njëjtëve për t’iu bashkuar Ushtrisë së Kosovës.
“Në rastin e thirrjes për aplikim të komuniteteve për polic në stacionin very të shtetit, është moment me rëndësi institucionale e shtetërore me rëndësi ndaj nuk duhet që askush të bëjë politikë duke u munduar ta godas Elbert Krasniqin apo Albin Kurtin politikisht. Inkuadrimi i komuniteteve tjera është strategji me interes shtetëror për shkak të specifikave atje. Poashtu edhe inkuadrimi I komuniteteve në ushtri ka rëndësi për jetën e secilit nga ne. Në frontin tjetër unë si ministër, ose si pjesë e kabinetit qeveritar punoj çdo ditë për avancimin e komuniteteve tona në shoqëri, konkretisht ndalemi tek komuniteti RAE, mos harroni veç një fakt po e qes, 500 bursa janë ndarë për shkollim. Kjo nuk na kënaqë, por jemi çdo ditë në punë. Edhe në detyrat ministrore edhe tek çështjet e komuniteteve për çfarë unë kam interesim, kryeministri Kurti është bashkëpunëtorë i jashtëzakonshëm”.
Tutje Elbert Krasniqi është ndalur edhe tek çështjet brenda politike, ku si kryetar i IRDK-së ka shprehur mirënjohjet më të mëdha për themeluesit e këtij subjekti me bazë Pejën e të cilëve edhe u aka akorduar suksesin politik.
“Jam i nderuar që vij nga një shkollë politike me bazament. Ibish Bajrami, Ymer Aliu, Xhevdet Neziraj, Emin Sefa janë emra që i njeh krejt rrafshi i dukagjinit për ndershmëri politike e si njerëz stoik. Jam vazhdimësi e tyre”.