Krasniqi, e para në renditjen e re të IJF-së
Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) ka publikuar renditjen më të re olimpike. Pas garës së Grand Slamit të mbajtur në tri ditët e fundit në Budapest të Hungarisë, ekipi olimpik i Kosovës ka shënuar ngritje.
Distria Krasniqi ka dalë e para në kategorinë deri në 48 kilogramë, pas medaljes së artë të fituar të premten. Krasniqi mori 1 000 pikë të reja, duke çuar në 6 765 numrin e pikëve në total, me të cilat la prapa dy herë kampionen e botës, Daria Bilodid. Loriana Kuka, që fitoi medaljen e bronztë, ka dalë e 13-ta me 3 463 pikë në kategorinë -78 kilogramë.
Akil Gjakova është i 10-ti në kategorinë -73 kilogramë, duke tubuar gjithsej 3 447 pikë. Majlinda Kelmendi, e cila nuk mori pjesë në Grand Slamin e Budapestit, ndodhet e pesta me 4 152 pikë në kategorinë -52 kg. Të pesë xhudistët ndodhen brenda normës olimpike Tokio 2020. Xhudistja Laura Fazliu, e cila po e kërkon normën olimpike, me pikët e fituara në Grand Slam, është ngritur për tetë vende, duke kaluar në pozitën e 55-të.
Për ta fituar normën olimpike asaj i duhet të jetë diku në mesin e 30 xhudisteve në renditjen olimpike. Gara e ardhshme për ekipin olimpik është Kampionati Evropian, i cili mbahet prej 19-21 nëntor në Pragë të Çekisë.