Krasniqi e quan të paaftë Kurtin për të marrë përgjegjësi

18 mars 2020 | 16:00

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të MPBAP-së, në kohën kur vendi është duke u ballafaquar me koronavirusin.

Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar  se kur duhet më së shumti unitet, vëmendje e stabilitet shtetëror për menaxhimin e kësaj krize, kryeministri Kurti gjen momentin për të qëruar hesapet politike, duke shkarkuar Veliun.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Vendi është në prag të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të pandemisë së virusit Covid-19 që po e rrezikon jetën e qytetarëve tanë çdo ditë e më shumë. Dhe pikërisht sot, kur duhet më së shumti unitet, vëmendje e stabilitet shtetëror për menaxhimin e kësaj krize, kryeministri gjen momentin për të qëruar hesapet politike, duke shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme. Me këtë veprim të tij, që mund të shkaktojë krizë mbi krizën aktuale, vendi rrezikon të humbë fokusin për menaxhimin e situatës kritike, duke e rritur rrezikun që i kanoset shëndetit publik, rendit dhe sigurisë.

I paaftë për të marrë përgjegjësitë që i takojnë, kryeministri sot vulosi mendësinë që e ka përcjellë vazhdimisht si një dezertor përballë përgjegjësisë aty ku duhet e kërkohet dhe si përfitues i paskrupullt nga rrethanat e momentit, aty ku nuk duhet dhe ku s’është e ndershme.

Me veprimin e sotëm, Albin Kurti vetëm sa e konfirmoi urgjencën për shpalljen formale të gjendjes së jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës. Prandaj sot, kur jeta ka vlerë më shumë se çdo gjë dhe kur qytetarët kanë nevojë për siguri e ballafaqim fitimtar me pandeminë globale, vendi ynë edhe de jure duhet të hyjë në gjendje të jashtëzakonshme, sepse kjo situatë nuk mund të kalohet suksesshëm me njerëz të papërgjegjshëm si Albin Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran…