Krasniqi: Edhe Aleksandër Vuçiqi do të duhej të ishte në Hagë bashkë me Mlladiqin
Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të martën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
I cilësuar si “Kasapi i Bosnjës”, ai u dënua në nëntor të vitit 2017 nën akuzat që përfshinin vrasjen e mbi 8 mijë djemve e burrave në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Masakra u krye në një zonë që ishte shpallur e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.
Profesori universitar Milazim Krasniqi duke e komentuar vendimin për burgim të përjetshëm për Mlladiqin, ka thënë se edhe presidenti seb, Aleksandër Vuçiqi do të duhej të ishte sot në Hagë së bashku me Mlladiqin.
“Ratko Mlladiqit iu konfirmua dënimi me burgim të përjetshëm. Ai ishte përgjegjës kryesor i gjenocidit në Bosnje. Fatkeqësia është që njëri nga inspiratorët e tij, Aleksandër Vuçiqi, i cili në atë kohë deklaronte në Kuvendin e Serbisë se për një serb do të vriteshin 100 muslimanë, sot është kryetar i Serbisë. Për ironi, ai sot do të jetë në K.S. të OKB-së, në vend se të ishte bashkë me Mlladiqin në Hagë, si i dënuar për inspirimin e gjenocidit. Drejtësi selektive”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Konfirmohet dënimi me burgim të përjetshëm për Ratko Mlladiqin