Krasniqi: Ekziston rreziku që sanksionet e BE-së jo vetëm që mund të mbesin, por edhe të shtohen

23 gusht 2024 | 10:12

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka thënë se ekziston rreziku që sanksionet e Bashkimit Evropian jo vetëm që mund të mbesin por edhe të shtohen.

Ndonëse i sheh të padrejta këto masa, Krasniqi konsideron se shtetet e BE-së nuk janë unik, si shkak i disa prej tyre që nuk e njohin Kosovën.

Kritika ka edhe për mosvendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë, sidomos pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.

“Siç dihet vendimmarrja në Bashkimin Evropian është shumë e komplikuar sepse të gjitha shtetet kanë pjesë në vendimin final dhe derisa ato qëndrime të harmonizohen merr shumë kohë. Në anën tjetër siç dihet kanë qëndrime jo plotësisht unike sepse ka disa shtete të cilët nuk e njohin Kosovën, ka disa që kanë preferenca ndaj Serbisë. Në krejt këtë konstilacion që ka nuk është reale të pritet që sanksionet të hiqen, aq më tepër që tashmë në këtë krizën rreth Urës së Ibrit, besoj që janë ngritur edhe më shumë shqetësimet dhe mos besimet në Bashkimin Evropian dhe në Perëndim përgjithësisht lidhur me qëllimet e Qeverisë Kurti ashtu që rreziku është që sanksionet jo vetëm që mund të mbesin por mund të shtohen, në këtë aspekt qytetarët duhet të dinë këtë gjë sepse propaganda qeveritare shumë herë në një lehtësi të pa durueshme ua bënë livadh sikur po hiqen sanksionet por e vërteta se rreziku është që sanksionet mund të shtohen e jo të hiqen”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, Krasniqi e sheh më të vështirën që prej Qeverisë Thaçi. Temën hapjes së urës në këtë mënyrë, Krasniqi e sheh të gabuar. Ai konsideron se hapja e saj mund të bëhet në marrëveshje me serbët lokal dhe në partneritet me KFOR-in.

“Pozita e Kosovës është e vështirë dhe ka qenë e vështirë në të gjithë qeveritë edhe Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj ka pasur probleme me perëndimin. Por problemi është se në rastin e Albin Kurtit ka një mungesë të moderacionit, të sensit ndoshta mungesa e përvojës e ka bërë të vetëm, plus edhe një qëndrim ideologjik pak më kokë fortë më majtistë. Por rezultati final është po vetë fakti që sanksionet janë vendosur është trajtuar që Qeveria Kurti ka faj, mund të hymë në analiza se a ka faj apo jo, por jam i bindur që faj ka gjithmonë Serbia sepse gjithmonë është provokatore dhe destabilizuese. Duke e ditur këtë Qeveria jonë duhet të jetë më e kujdesshme në veprimet që i merr dhe në raport me ndërkombëtarët. Rasti i tashëm i urës që 25 vite ajo ka qenë e mbyllur, shqiptarët nuk e kanë mbyll po të ishte në dëshirën tonë dhe të Qeverisë sonë ajo do të hapej menjëherë, por urën e kanë mbyllur serbët dhe urën e ruan KFOR-i. Prandaj kokëfortësia e Kurtit edhe në këtë rast tregon naivitet politik, sepse ura nuk mund të hapet se ka dëshirë ai por duhet të arrihet një marrëveshje në një lloj mirëbesimi me serbët lokal dhe në partneritet me KFOR-in”, u shpreh ai.

Profesori universitar ka kritika edhe për mënyrën sesi po dialogohet në Bruksel. Sipas tij, insistimi i palës kosovare do duhej të ishte në marrëveshje gjithëpërfshirëse. Sipas tij, mënyra si po vazhdon dialogu, i konvenon vetëm Serbisë.

“Ka politika që janë të tilla që thuhet në gjuhën popullore ‘nuk ia dinë hallin vetës’, pastaj hynë në konflikt, ndërsa ata që kanë fuqi t’i penalizojnë. Mendoj që vet procesi i negociatave është gabimisht i vendosur nga BE-ja, është dashur me insistuar me një marrëveshje gjithëpërfshirës përfundimtare, brenda kësaj të zgjidhen problemet konkrete duke përfshirë edhe urën dhe  të gjitha të tjera. BE-ja ka ndjekur një rrugë për zgjidhje parciale, ndërsa këto zgjidhje i konvenon vetëm Serbisë sepse nuk është nën presion nuk është nën izolim dhe sanksione. Faji kryesor për këtë është i Bashkimit Evropian i cili në fakt ka një mandat prej asamblistëve të përgjithshme të OKB-së dhe nuk por e kryen si mandat si asamblistë por po e kryen si politikë të vetën. Atë e kanë futur kushtëzimin e Integrimit Evropian të Kosovës dhe Serbisë me marrëveshje, ky nuk është mandati i BE-së. Si thotë populli ‘i forti të rreh dhe nuk të len me qarë’ dhe ne duhet të jetojmë brenda këtij realiteti”, ka deklaruar Krasniqi. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fitorja e titullit të Bayer Leverkusenit sezonin e kaluar, që…