Krasniqi: Ferit Idrizi udhëhiqet nga parimi i meritokracisë dhe transparencës
Pas Skenderajt, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi të enjten ka vizituar Komunën e Vushtrrisë, ku është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi.
Me këtë rast, Krasniqi ka thënë se kryetari Idrizi udhëhiqet nga parimi i meritokracisë dhe transparencës dhe është e do të jetë i pakompromis ndaj të keqes.
“Dhjetë ditë pasi mori zyrtarisht detyrën si kryetar i Komunës së Vushtrrisë, erdha për t’i uruar suksese në qeverisjen e kësaj komune kryetarit Ferit Idrizi, i cili është zotuar se do t’i hapë mundësitë për qytetarët e Vushtrrisë, në veçanti për rininë dhe gratë. Kryetari Idrizi udhëhiqet nga parimi i meritokracisë dhe transparencës dhe është e do të jetë i pakompromis ndaj të keqes. Vendimi i tij për të emëruar në krye të Drejtorisë së Urbanizmit një profesioniste të fushës të propozuar nga arkitektët vushtrrias, siç edhe ka premtuar, është për t’u përshëndetur. Njëjtë janë meritore edhe emërimet e tjera ne qeverinë komunale. Partia Demokratike e Kosovës është rikthyer në Vushtrri për t’ia rikthyer dinjitetin këtij qyteti antik dhe perspektivën vushtrriasve, pa dallim, që do të mundësohet me qeverisjen e mirë të kryetarit Ferit Idrizi”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.