Krasniqi: Feronikeli do t’u rikthehet fitoreve

20 nëntor 2019 | 14:19

Erlind Krasniqi, zëdhënësi i Feronikelit, ka thënë se skuadra nga Drenasi është duke punuar fuqishëm që t’u kthehet rezultateve pozitive.

Skuadra e Feronikelit nuk pati start të mirë në këtë edicion të IPKO Superligës pasi nga pesëmbëdhjetë ndeshje të zhvilluara ka grumbulluar vetëm 23 pikë dhe aktualisht renditet në pozitën e gjashtë. Redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re” ka zhvilluar bisedë me zëdhënësin e Feronikelit, Erlind Krasniqin, i cili “fajtor” për rezultate jo të mira të Klubit të Drenasit i bënë lëndimet e shpeshta dhe ngritjen e nivelit të Superligës. “Është e vërtetë që kemi pasur vështirësi në këtë fillim të edicionit, por mos të harrojmë se edhe kualiteti i IPKO Superligës është në nivel më të lartë sivjet dhe konkurrenca është shumë e madhe. Po ashtu, kemi pasur shumë lëndime që pamundësuan zgjedhjen më të mirë të futbollistëve. Sidoqoftë, ne bëmë ndryshime në shtabin teknik sepse ishte e nevojshme një frymë e re në skuadër që të mund t’i kapim objektivat pavarësisht prej rezultateve jo të mira. Presim rikonstruktim të klubit në janar”, ka thënë Krasniqi.

Klubet në Evropë, përfshirë edhe ato në Kosovë, kanë pushuar për shkak të ndeshjeve të kombëtareve të cilat mbyllen eliminatoret për Kampionatin Evropian “Euro 2020”, kurse Krasniqi ka thënë se ky pushim ishte i mirë për “Niklin”. “Pushimi ishte më se i mirëpritur pasi futbollistët kishin nevojë për të marrë ‘frymë’ nga ndeshjet kampionale dhe mund të them se na shërbeu edhe neve që përgatitjet të bëhen më lirshëm, pa stresin e ndeshjeve”, ka shtuar ai.

Shorti i DigitAlb Kupës së Kosovës nuk ishte aspak i mirë për klubin nga Drenasi që është fitues në fuqi i Kupës sepse përballë do ta ketë, në rrethin e dytë, skuadrën e llapit që, po ashtu, ka synime të mëdha në këtë garë. Megjithatë, sipas Krasniqit, kjo nuk e ka shqetësuar aspak skuadrën e Feronikelit. “Shorti  i Digitalb Kupës së Kosovës na vuri përballë një ndeshjeje të vështirë por, sidoqoftë, ndeshje të vështira do të vinin edhe ashtu dhe nuk jemi klub që frikësohemi nga pesha e këtyre takimeve. Pa dyshim që në objektivat e klubit është edhe Kupa e Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

Një tjetër dukuri që e ka karakterizuar klubin e Feronikelit është se javët e fundit ua ka “mbyllur” gojën futbollistëve që të deklarohen për medie. Lidhur me këtë fakt, Krasniqi ka mohuar që ky veprim i klubit të ketë lidhje me rezultatet jo të mira. “Feronikeli nuk mund t’ia mbyllë gojën asnjë futbollisti dhe kjo praktikë nuk ka të bëjë me rezultatet e mira ose të dobëta, por për këtë arsye ekzistojnë bordi, zëdhënësi dhe hierarkia e klubit. Futbollistët punën më të madhe e kanë në fushë, ndërsa të tjerat, përfshirë edhe daljen në medie, është dytësore për ta. Ne po punojmë fort që të rikthehen rezultatet pozitive dhe besojmë se një gjë e tillë do të ndodhë që nga ndeshja e ardhshme”, ka shtuar ai.

Feronikeli është kampion dhe fitues i kupës në fuqi dhe skuadra që e prezantoi Kosovën në arenën ndërkombëtare, pra në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, në njëvjetorin…