Krasniqi: Furnizimi me oksigjen ishte një sfidë e jashtëzakonshme
Kryeministri Avdullah Hoti, ka vizituar sot menaxhmentin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Me këtë rast, Valbon Krasniqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, ka njoftuar kryeministrin Hoti për punët që janë bërë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale.
Ai ka thënë se asnjë pacientë nuk ka mbetur pa oksigjen e as pa shërbime shëndetësore.
“Furnizimi me oksigjen ishte një sfidë e jashtëzakonshme. Kosova e as shtetet tjera nuk e kishin menduar një pandemi të tillë dhe këtë kërkesë për oksigjen. Por, asnjë pacient nuk mbeti pa i ofruar shërbime në kujdesin intenziv. Asnjë pacientë nuk ka mbetur pa oksigjen dhe nuk është kthyer mbrapa pa marrë trajtimin e duhur shëndetësorë”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se gjatë pandemisë kanë vendosur një rezervuar prej 20 mijë litra me oksigjen si dhe në Spitalin e Prizrenit me 10 mijë litra oksigjen.
Ai ka bërë me dije se edhe spitalet rajonale ditëve të ardhshme do të bëhen me rezervuare.