Krasniqi-Goodman: Të kenë turp ata që ende i stigmatizojnë viktimat e dhunës seksuale
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka thënë se është nder dhe emocion i jashtëzakonshëm për të që të jetë këtu në institucionin më të lart të Kosovës.
“Tashmë ju e dini që kam pasur rastin të flas në vende të ndryshme të botës por asnjëherë nuk jam ndier si po ndihem sot në Kosovë. Ndihem mirë kur e di që ka anëtarë që përkrahin, e burra që i mbrojnë e përkrahin viktimat e dhunës seksuale, por ndihem keq kur e di që ka anëtarë që nuk i mbrojnë e përkrahin. Edhe prej kësaj foltore kanë dalë fjalë që na kanë lënduar neve viktimave shumë. Vendi jonë, shoqëria jonë neve na stigmatizon”, ka thënë ajo.
Krasniqi-Goodman ka thënë se duhet t’iu vije turp të gjithë atyre që po stigmatizojnë viktimat e dhunës seksuale.
Ajo ka kërkuar që krimet e luftës dhe dënimet ndaj kriminelëve të merren më seriozisht.
“Ne po duam mbrojtje, me na përkrahë e mbështetë se çka na ka ndodh neve ka qenë krim i luftës, e ju nuk keni qenë aty me na mbrojt. Kemi dëgjuar shumë shpesh që kanë thënë Vasfija e ka shumë lehtë se e ka burrin amerikan, por mos harroni se vëllai im është këtu që ballafaqohet me fjalime, me atë çfarë thonë njerëzit. Na jemi duke e bërë një punë që ju nuk jeni në gjendje për ta bërë për nënën, motrën, e gruan tuaj. Krimet e luftës me i marrë me seriozitet e dënimet me i marrë me seriozitet. Unë nuk kam me u ndal që të tjerat me pas drejtësi atë që mu ka mohuar mua. Ju kisha lut në këto raste t’i merrni më zemërsisht që të fitojmë drejtësinë”, ka thënë Krasniqi-Goodman.