Krasniqi: Hera e dytë brenda një muaji që Kurti nuk ftohet në takimet e liderëve botërorë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në samitin në Granadë të Spanjës, shumica e shteteve janë përfaqësuar nga kryeministrat.
Sipas tij, pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është hera e dytë brenda një muaji që kryeministri Albin Kurti nuk ftohet në mbledhjet e liderëve botërorë.
“Në Granadë të Spanjës, ku u mbajt samiti i tretë i liderëve të Komunitetit Politik Evropian, shumica absolute e shteteve u përfaqësuan nga Kryeministrat e tyre, por jo edhe Republika e Kosovës. Kryeministri Kurti që del dhe zhurmon për marrëveshjet ndërkombëtare që s’po mundet t’i miratojë, vazhdon të mbetet i padëshiruar dhe i izoluar nga komuniteti ndërkombëtar. Pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është hera e dytë brenda një muaji që Kryeministri i Kosovës nuk ftohet dhe nuk pranohet në mbledhjet e liderëve botërorë. Dinjitet se jo mahi!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Në qytetin Granada të Spanjës, presidentja Vjosa Osmani po përfaqëson Kosovën në takimin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (KPE), nismë kjo që përfshin 47 shtete, ku hyjnë 27 anëtaret e Bashkimit Evropian.