Krasniqi: I lumtur që shënova para publikut tonë, ndaj Rumanisë gjithçka e mundshme
Ermal Krasniqi ka qenë protagonist mbrëmë në fitoren e Kosovës ndaj Qipros me rezultat të pastër, 3:0. Anësori ofanziv e shënoi golin e dytë të Dardanëve dhe të dytin në fanellën e Kosovës.
Fakti se shënoi në prani të tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri” e gëzoi atë edhe më shumë. “Siç e kam thënë edhe herën e kaluar, nuk do të ndalem vetëm me një gol dhe shpresoj që të vazhdoj kështu dhe t’i gëzoj tifozët tanë. Ishte kënaqësi shumë e veçantë të shënoja në stadiumin tonë ‘Fadil Vokrri’”.
“Kur e shënova golin e parë ishte një ndjenjë e veçantë, por sot ishte edhe më e veçantë sepse të shënosh në stadiumin tënd është një kënaqësi edhe më e veçantë në prani të tifozëve tanë të mrekullueshëm.”
Ish-futbollisti i Ballkanit, aktualisht pjesë e Sparta Pragës, për faqen zyrtare të FFK-së foli edhe për ndeshjen e muajit të ardhshëm me Rumaninë, e cila do të jetë përcaktuese për liderin e grupit.
Aktualisht, rumunët i kanë tri pikë më shumë dhe e kanë fituar ndeshjen e zhvilluar në Kosovë me rezultat 3:0.
Për këtë, Dardanëve iu nevojitet të fitojnë 4:0 në Bukuresht nëse duan të bëhen liderë të Grupit 2 në Ligën C.
“Ka me qenë një ndeshje e vështirë, të gjithë e dimë. Normalisht, do të përgatitemi në maksimum, kemi kohë dhe kanë kohë trajnerët dhe stafi që ta analizojnë mirë. Na pret një ndeshje e vështirë, por normalisht do të shkojmë atje për ta dhënë maksimumin. Nëse luftojmë të gjithë së bashku, besoj se gjithçka është e mundshme”, përfundoi Ermal Krasniqi.