Krasniqi i PSD-së: Mësimdhënësja që doli kundër SBAShK-ut është militante e Albin Kurtit

05 shtator 2022 | 13:44

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka mbajtur të hënën një takim me mësimdhënësit në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë.

Gjatë takimit, Jasharaj ka thënë se greva në arsim do të përfundojë atëherë kur duan mësimdhënësit, pasi që sipas tij nuk është ai personi që vendos për nisjen apo përfundimin e grevës.

Ndër mësimdhënësit që kanë folur në këtë takim, ishte edhe një mësimdhënëse e kësaj shkolle, e cila ka kërkuar nga Jasharaj që të ndërpres grevën dhe t’i kthehen mësimit.

Jasharaj në anën tjetër ka thënë se duhet të dëgjohet mendimi i shumicës së mësimdhënësve dhe jo vetëm disave.

Por, pas këtij takimi, ka reaguar zyrtari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Frashër Krasniqi, i cili përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se mësimdhënësja që doli publikisht kundër SBAShK-ut është Rafiqe Hamiti, të cilën Krasniqi e ka cilësuar si “militante të Albin Kurtit”.

“Kjo ishte ‘mësimdhënësja’ qe foli kundër sindikatës. Rafiqe Hamiti, militante e Albin Kurtit. Gjuha fashiste e Elvis Hoxhës, po përcillet me infiltrimet e dhunshme të militantëve t’pushtetit e grevëthyesve servilë t’Kurtit. Ata, sipas udhëzimeve konspiracioniste t’pushtetit, sindikalistët po i quajnë ‘armiq, o armiq’”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Në fund, Krasniqi ka thënë se mësimdhënësit kanë duartrokitur sindikatën.

Kujtojmë se në takimin e SBAShK-ut në Prishtinë, kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj është tentuar të sulmohet nga një pjesëmarrës në takim, por që sulmi është parandaluar nga pjesëmarrësit që ishin prezent aty.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj , ka dekoruar…